E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Interesi kombëtar, pikë e palëvizshme referimi për PS-në

TIRANË, 8 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministër, Edi Rama deklaroi sot në 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Shkodër, se protestuesit harrojnë se kanë të bëjnë me PS-në, një parti të cilës kurrë, askush nuk mund t’i drejtojë gishtin si një forcë që ka tradhtuar ndonjëherë interesin kombëtar.

Duke iu referuar protestës kundër investimit të planifikuar në Zvërnec, Rama tha se ata harrojnë që kanë të bëjnë me një forcë të cilën mund ta kritikosh për shumëçka, për dje dhe për sot, por kanë të bëjnë me një forcë të cilës kurrë, askush nuk mund t’i drejtojë gishtin si një forcë që ka tradhtuar ndonjëherë interesin kombëtar.

“Nuk e ka bërë dje dhe nuk do ta bëjë kurrë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se, interesi kombëtar ka qenë për PS-në, qysh në krye të herës, një pikë e palëvizshme referimi.

Rama kujtoi kohët kur nga Shkodra bëhej kontrabanda e naftës për në ish-Jugosllavi.

“Ju këtu, ata që janë më të vjetër, e dinë shumë mirë se në këto ujëra kalonin anijet, varkat dhe makinat e kontrabandës së naftës që furnizonte makinerinë vrastare të Sllobodan Millosheviçit. Kalonin këtu dhe kalonin me bekimin e atyre që ditën flisnin për lirinë e Kosovës, flisnin për lirinë e shqiptarëve në Kosovë, flisnin kundër diktaturës që po shkatërronte Jugosllavinë me gjak dhe nuk i linte vend popujve të saj, ndërsa në anën tjetër furnizonin makinerinë që përdorej kundër të gjithë atyre që donin të shpëtonin nga kthetrat e regjimit fashist në Beograd. Ndërkohë thoshin se ishte PS ajo që ishte krijuar nga Beogradi dhe mbronte interesat e Beogradit. Kjo është e vërteta që historia tregon sot shumë qartë”, tha Rama.

Ashtu siç, vijoi kreu i qeverisë, “historia ka treguar, por nuk i ka treguar të gjitha lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, lidhur me ata që ishin dhe nga cila forcë vinin ata që mbështetën pa asnjë rezervë UÇK-në”.

“Ndërkohë, historia ka të shkruar publikisht sesi të tjerët e sulmonin UÇK-në dhe bënë çmos që të sabotonin Rambujenë, duke i konsideruar luftëtarët dhe udhëheqësit e UÇK-së si terroristë, haptas dhe në gjuhën shqipe”, theksoi më tej Rama.

“Ja sesi historia në momente të caktuara përsëritet në forma të ndryshme dhe për arsye të ndryshme”, u shpreh ai.

Rama theksoi se, “t’i thuash kësaj partie, kësaj force politike, kësaj shumice qeverisëse, kësaj qeverie dhe mua në krye të saj, çfarëdo qoftë që ka lidhje me tradhtinë, duhet të jesh komplet pa fytyrë, pa din, pa iman, pa fe dhe pa atdhe”.

“Mund të flasësh për atdheun sa të duash, por ata që i kanë bërë gjëmat më të mëdha këtij atdheu dhe çdo atdheu janë ata që atdheun e kanë mbajtur më shumë në gojë se të tjerët. Por atdheu nuk është për t’u mbajtur në gojë vend e pa vend. Atdheu është për t’u mbajtur në zemër dhe në mendje kur flet dhe kur vepron mbi ato që thua”, tha Rama.

Sepse, shtoi ai, “atdheun në gojë e kanë pasur më shumë se kushdo tjetër në historinë e Evropës ata që kanë vrarë dhe shkatërruar vende dhe popuj”.

““Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve” është një parullë që ka qenë dhe është frymëzuese për dhunë, ashtu siç ka ndodhur edhe në vende të tjera të Evropës. “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, është një parullë që të çon realisht larg dhe të bën të humbasësh arsyen. Sepse çfarë do të ndodhte nëse italianët do të thoshin “Italia është e italianëve, ikni që këtu”, grekët “Greqia është e grekëve”, dhe kështu me radhë?”, tha Rama.

1 nga 12

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›