Rama: Shqiptarët sot ndihen më të respektuar dhe më të sigurt në Evropë

TIRANË, 8 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministër, Edi Rama, deklaroi sot në 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Shkodër se PS është një forcë politike që nuk pretendon se i ka bërë të gjitha gjërat mirë, por që, sipas tij, nuk mund të akuzohet për tradhti apo shkatërrim.
“Ne jemi një forcë që nuk kemi asnjë arsye të pretendojmë se kemi bërë çdo gjë mirë. Por ama askush nuk mund të dalë dhe të thotë që ne jemi tradhtarë, që ne jemi shkatërrimtarë, sepse ne jemi patriotë dhe jemi shpëtimtarë”, u shpreh Rama.
Ai solli në vëmendje rindërtimin pas tërmetit, duke theksuar se mijëra familje janë nxjerrë nga rrënojat dhe janë sistemuar në banesa të reja.
“Mjafton të mendosh sesa mijëra e mijëra njerëz i shpëtuam nga vetmia në qiell të hapur dhe nga gërmadhat e jetës së tyre që iu shkatërrua për 30 sekonda kur ra tërmeti”, tha Kryeministri.
Rama u ndal edhe tek imazhi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se shqiptarët sot ndihen më të respektuar dhe më të sigurt në Evropë.
“Më vjen mirë që shoh vajza dhe djem që dalin me flamuj në Milano dhe në Bruksel. Por i përfytyroni shqiptarët para 10 vitesh duke dalë kaq të lirë dhe krenarë? Nuk i sheh më njeri si dele të zeza”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, ky ndryshim ka ardhur si rezultat i punës së qeverisë dhe besimit të qytetarëve.
“Kjo ndodhi sepse këtë e solli puna jonë me të gjithë ata shqiptarë që na kanë besuar dhe që nuk i kemi tradhtuar asnjëherë”, tha ai.
Kryeministri theksoi se protestat janë pjesë e demokracisë, por sipas tij, vendi ka më shumë nevojë për bashkim dhe ndërtim.
“Nuk dua fare të them që s’ka arsye për të protestuar sot në Shqipëri. Patjetër që ka arsye për të protestuar. Por mbi të gjitha ka arsye për të punuar, për të ndërtuar”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se integrimi europian mbetet objektivi kryesor i qeverisë dhe se Shqipëria nuk duhet të humbasë mundësinë historike për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Dera që na është hapur për të hyrë më në fund në atë shtëpi ku shqiptarët do të jenë të barabartë, jo vetëm me zakon, por edhe me ligj, është një derë që nuk mund të lejojmë kurrë ta mbyllë vetë shqiptari”, deklaroi ai.
Duke folur për debatet mbi zhvillimin e projektit turistik në Zvërnec, Rama u bëri thirrje qytetarëve të dëgjojnë argumentet dhe të presin prezantimin e projektit përpara se të gjykojnë.
“Ju nuk mund të thoni ‘ndalo projektin’, kur projekti është ende duke u punuar”, tha Kryeministri, duke shtuar se projekti po hartohet nga grupe profesionistësh dhe jo nga “influencerë apo blogerë që bëjnë sikur i dinë të gjitha”.
Ai përmendi edhe rastin e investimit të humbur në Durrës, që përfundoi në Mal të Zi.
“E hëngrëm njëherë kur na iku investitori nga Durrësi, shkoi në Tivat dhe bëri ‘Port of Montenegro’, që mund të ishte ‘Port of Durrës’”, tha Rama.
Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e investimeve të huaja për ekonominë shqiptare.
“Shqipëria ka sot 27 miliardë euro Prodhim të Brendshëm Bruto dhe ne do t’i themi jo 4 miliardë eurove investime? Të gjitha vendet maten me volumin e investimeve të huaja”, deklaroi ai.
Në përfundim, Rama tha se misioni historik i Partisë Socialiste mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Asgjë më fisnike se ky mision nuk ka, që brenda kësaj dekade të përmbushim një ëndërr të madhe dhe ta bëjmë Shqipërinë vendin ku askush të mos ndihet më i përjashtuar apo i nëpërkëmbur nga Evropa, por qytetar i barabartë i Bashkimit Europian”, u shpreh Rama.
/gj.m/j.p/