E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Janë kryer 300 mijë legalizime, kanë mbetur edhe 70 mijë. Sistem i ri për të lehtësuar procesin

Në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”, kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga njësia 14 në Tiranë se po ndërtohet një sistem për të qartësuar dhe lehtësuar procesin e legalizimit të pronave.

“Që legalizimet janë një proces i vështirë kjo as nuk diskutohet sepse janë bërë afro 300 mijë, por ka edhe një numër rreth 70 mijë që duhen bërë.

Ndërkohë që një pjesë e tyre janë problem sepse janë të pamundur nga ligji aktual, jo është mbi kolektor, jo është mbi rrugë por gjithsesi një pjesë tjetër duhen bërë sepse mund të bëhen”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit Rama, pjesa problematike në procesin e legalizimit të pronave “është që pse dikush që  pret legalizimin që në vitin 2010-n duhet të presë akoma, ndërkohë që dikush tjetër që e ka bërë kërkesën në 2018-n duhet të marrë përpara”.

Për këtë arsye, Rama tha se do të krijohet një sistem me kritere të qarta për të lehtësuar procesin e legalizimit.

“Më e drejta është koha e regjistrimit, pra ajo që mua më shqetëson, është që pse dikush që  pret legalizimin që në vitin 2010-n duhet të presë akoma, ndërkohë që dikush tjetër që e ka bërë kërkesën në 2018-n duhet të marrë përpara.

Kështu që ajo që kemi kërkuar dhe do të bëhet, do të bëhet një sistem me kritere të qarta, me vite, dhe njerëzve do t’u thuhet; prit se jemi akoma te viti ‘X”, tha më tej kreu i qeverisë.

Ai shtoi se krijimi i këtij sistemi do të krijojë më shumë qartësi për njerëzit.

“Por ama nuk do të jetë e mundur që do të bëhet kapërcim në sistem; kape njërin se më pëlqen mua ta bëj dhe e çoj këtu.

Kjo do të krijojë më shumë qartësi për njerëzit dhe bashkitë kanë rolin e tyre.

Do të përpiqemi të krijojmë edhe më shumë kapacitet duke përdorur edhe njësitë bashkiake, edhe koordinatorët, kryepleqtë, për të pasur më shumë ritëm procesi”, nënvizoi Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›