Rama: Kantina “Caco” në Pogradec, ndërthurje e traditës familjare me investimet në teknologji

TIRANË, 28 shtator /ATSH/ Në fshatin Grabovicë të Pogradecit, familja Caco ka kthyer pasionin për kultivimin dhe përpunimin e rrushit në një histori të vërtetë suksesi, duke krijuar një sipërmarrje që vijon traditën e familjes në prodhimin e verës.
Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale u shpreh se kantina “Caco” është e vendosur në Grabovicë të Pogradecit, si një sipërmarrje e fokusuar në prodhimin dhe përpunimin e verës, duke ndërthurur traditën me investimet në teknologji dhe pajisje moderne.
Rama tha se “nëpërmjet Skemës Kombëtare të Investimeve 2025, AZHBR ka mbështetur Kantinën Caco me financim për linjën e përpunimit, duke i dhënë një tjetër mundësi zhvillimit dhe zgjerimit të aktivitetit”.
Ersol Caco, pjesëtar i familjes që administron kantinën, tregon se aktiviteti nisi nga nevoja për përpunimin e rrushit të prodhuar në një sipërfaqe të vogël vreshtash, për t’u kthyer më pas në pasion dhe biznes familjar.
“Fokusi ynë gjithmonë ka qenë cilësia. Dhe në këtë rrugëtim na është bashkuar AZHBR-ja, duke na mbështetur me pjesën e makinerive dhe teknologjisë për të pasur një cilësi sa më të mirë dhe për të pasur një standard të vazhdueshëm”, shprehet Caco.
Sipas tij, mbështetja në pajisje dhe teknologji po shoqërohet edhe me projekte të reja për zgjerimin e aktivitetit. Aktualisht, kantina po punon për prodhimin e një vere me gaz, një produkt që kërkon makineri dhe procese teknologjike të ndryshme nga ato të përdorura për verën e qetë.
Kantina “Caco” është mbështetur përmes Skemës Kombëtare të Investimeve 2025 të AZHBR-së, me financim për linjën e përpunimit, ndërsa investimet kanë përfshirë edhe pajisje për etiketimin dhe procese të tjera të nevojshme për prodhimin e verës.
Këto investime synojnë lehtësimin e procesit të punës dhe rritjen e standardeve të prodhimit, duke i dhënë sipërmarrjes mundësi për zgjerimin e aktivitetit dhe zhvillimin e produkteve të reja.
/e.i/r.e/