E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Kemi lirinë të negociojmë me BE-në, por jo të diskutojmë ligjet

TIRANË, 16 janar/ATSh/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në hapjen e vitit të ri kuvendor të grupit parlamentar u ndal tek miratimi i ligjeve që kanë të bëjnë me anëtarësimin në BE.

Në fjalën e tij, Rama tha se “kemi pasur disa raste që në mënyrë të natyrshme procesi i diskutimeve dhe miratimit të ligjeve që kanë të bëjnë me anëtarësimin në BE është vonuar apo është marrë lehtë si një proces ku ne kemi lirinë të fusim duart sipas opinioneve tona”.

Ne, tha Rama, nuk e kemi këtë liri që të jemi shumë të qartë.

“Ne kemi lirinë që të negociojmë me Bashkimin Europian, por nuk kemi lirinë që pasi negociojmë të diskutojmë, që do të thotë negociatat mbi një draft që hyn në të gjithë mekanizmin e gjerë dhe kompleks të arkitekturës së ligjit europian negociohet me komisionin i imponohet qeverisë dhe vjen në parlament”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “në momentin që vjen në parlament duhet miratuar jo diskutuar sepse që t’i hyjmë diskutimit të një ligji të tillë duhet  të ridiskutojmë më parë a duam të hyjmë në BE apo jo”.

Këtu, vijoi Rama, kam një tjetër shembull për të dhënë.

“Me të drejtë disa shokë dhe kolegë bëjnë gabimin që bëja unë deri kur e mësova që nuk duhej bërë. Marrin një draft që vjen nga qeveria pasi është dakordësuar me Komisionin përmes skuadrës negociatore dhe fillojnë i referohen vendeve të tjera të BE-së. Shiko se Franca nuk e ka kështu, Gjermania nuk e ka kështu madje edhe Krocia nuk e ka kështu dhe pse ta bëjmë edhe ne kështu. Këtë gjë po e ndaj me ju si eksperiencë dhe duke shpresuar që ju e dini që nuk jam lehtësisht i përthyeshëm ju ftoj të jeni të gjithë të pathyeshëm në këtë pikë sepse kur ngrihet kjo pyetje ose ky pretendim se nuk duam ta bëjmë kështu sepse ne duam ta bëjmë si Franca përgjigjja është shumë e thjeshtë: Që ta bëni si Franca duhet të jeni Franca, ju jeni Shqipëria, nuk kemi kërkuar ne që ju të vini të bëheni pjesë e familjes sonë, jeni ju që keni kërkuar dhe ne jemi shumë të lumtur t’ju kemi pjesë të familjes, por për ju kemi kushte dhe kushtet janë këto nëse doni, nëse s’doni mund ta bëni si të doni”, tha Rama.

Tani, sqaroi Rama, kjo nuk ndodh vetëm me Shqipërinë i gjithë procesi i anëtarësimit është një proces që ka sjellë rëndim të  kushteve për atë që ka ardhur më pas.

“Ata që kanë hyrë në fillim në BE nga ish-perandoria komuniste e lindjes e kanë pasur shumë më të lehtë procesin dhe janë bërë anëtarë me shumë më pak kushte. Kanë qenë po ta themi ndryshe shumë më të papërgatitur seç jemi ne sot”, tha Rama.

Kryeministri Rama vuri në dukje se “pastaj kanë ardhur ata që kanë pasur më shumë kushte se sa ata më përpara. Pastaj kanë ardhur ata të tjerët më pas që kanë pasur ku e ku më shumë kushte sesa përpara. Në fund ka ardhur Kroacia që ka pasur më shumë kushte se gjithë të tjerët. Tani jemi ne vendet e Ballkanit Perëndimor që kemi kushte që as Koracia nuk nuk do t’i merrte dot me mend”.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›