Rama: Klubi prestigjioz çek i gjimnastikës vjen në Tiranë për lëvizjen sportive në shkolla

TIRANË, 10 qershor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, në një komunikim live në rrjetet sociale përmes rubrikës “Sy m’sy”, solli në vëmendje lëvizjen sportive në shkolla, ndërsa nënvizoi se fëmijët e të rinjtë do të jenë në fokus të programit qeverisës gjatë këtij mandati.
“Sikundër kemi folur edhe gjatë fushatës do të shtrijmë aktivitetin sportiv në shkolla. Do të kalojmë në disiplina të tjera pasi të kemi konsoliduar më së miri volejbollin dhe basketbollin për femra e meshkuj në të gjitha moshat a arsimit parauniversitar”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se fokusi do të shtrihet për të krijuar hapësira për talente dhe për disiplinat e tjera të sportit individual, nga sportet e mundjes apo peshëngritjes, tek shahu dhe gjimnastika.
Për gjimnastikën, Rama informoi se do të hapim një kapitull të ri së shpejti falë bashkëpunimit me një “star” (yll…shënim i redaktorit) shqiptar, një djalë të ri jashtëzakonisht pasionant, emigrant në Republikën Çeke.
“Së bashku me një grup ku ka edhe shqiptarë të tjerë ai zotëron klubin më prestigjioz të gjimnastikës në Republikën Çeke, klubin “SKH”, i cili është themeluar në vitin 1984 dhe ka një kompleks sportiv fantastik në qendër të Pragës me palestra të gjimnastikës”, shtoi Rama.
Kryeministri bëri të ditur se sot do të zhvillohet një bisedë më e thelluar lidhur me këtë projekt për të sjellë në Tiranë këtë palestër prestigjioze dhe të mirënjohur në ish-Europën Lindore, ku janë prodhuar gjimnastë kampionë të niveleve në të larta olimpike botërore.
“Do ta përdorim këtë palestër si një fidanishte të kultivimit të talenteve në fushën e gjimnastikës ku kemi shumë për të bërë por dhe si një destinacion për të shtrirë sportin në shkollë edhe në një disiplinë të bukur, sfiduese, por shumë bindëse për shëndetin e psikologjinë e fëmijëve, si gjimnastika”, tha Rama.
/a.f/