E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Komision etike për nepotizmin në administratë, deputetët të lënë mandatin nëse duan të punësojnë familjarë

TIRANË, 11 shtator /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot në Asamblenë Kombëtare të PS, se do të ngrihet një komision etike me deputetë dhe përfaqësues të PS-së në çdo bashki, i cili do të trajtojë fenomenin e nepotizmit në administratë.

“Ka ardhur koha që të ngremë një komision të etikës me deputetë dhe përfaqësues të PS-së në çdo bashki, i cili duhet të trajtojë një fenomen gërryes, shkurajues për njerëzit, poshtërues, të vjetër, të egër që duhet sulmuar agresivisht çdo territor, duke filluar nga qendra, përkatësisht nga qeveria dhe nga grupi parlamentar dhe pastaj në nivel bashkie dhe të çdo ndërmarrje publike, nepotizmi. Lidhjet e gjakut në pozicione drejtuese”, tha Rama.

“Familjarët e një pjese këtu kanë meritën e madhe që na mbështesin pa kushte duke marrë dhe stres dhe baltë krejt të pamerituar për hatrin tonë, qofshin kur janë gjyshër, qofshin kur janë fëmijë, çka duke u nisur unë personalisht nga vetja mund t’ju them se në sytë e mi ata i bën heronj që më kanë mua në shtëpi dhe me përballojnë dhe jo vetëm përballojnë për mua shumë më tepër sesa ç’përballoj unë për ata, por e kanë bërë vet dhe në udhëheqjen e opozitës brenda shtëpisë time ndarjen me thikë të punëve të tyre nga punët e shtetit”, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se kur vjen puna te vendimmarrjet dhe tek aksesi në sferën e funksionit të detyrave publike, familjaret dhe lëre pastaj farefisi dhe krushqit, nuk mund të kërkojnë avantazhe nga pushteti.

“Jo vetëm në raport me ata qindra mijëra anëtare dhe mbështetës të kësaj familje të madhe politike që janë arsye pse ne jemi këtu se nuk janë krushqit, nuk janë kushërinjtë, por në as në raport me çdo njeri të këtij vendi që duhet të vlerësohet sipas meritës dhe jo sipas mbiemrit të tij apo mbiemrit të vjehrrit, jo sipas afërsisë apo largësisë nga tarafet e njërit apo tjetrit të nesh, jo sipas interesit privat apo politik, por gjithsesi personal të deputetëve që bëjnë qoka në mënyrën më të papërgjegjshme për të sistemuar njërin apo tjetrin dhe që nuk duan t’ia dinë fare se çfarë pasojash ka sistemimi i të paaftëve dhe i dallkaukëve në cilësinë e punës së një institucioni. Ashtu sikundër nuk duan ta dinë fare që ato qoka janë thika pas shpine e prindërve, e gjyshërve e gjysheve që çohen në 8 të mëngjesit për të votuar të parët PS dhe që meritojnë për nipin dhe për besën e tyre që PS t’i trajtojë si fëmijët e vet”, u shpreh Rama.

Kryeministri u shpreh se të zbusësh efektet e nepotizmit në administratën shqiptare dhe sidomos në lokalitetet e vendit është si t’i hysh një rrjete të shpifur, me të shpifur sesa të merimangës.

Por, theksoi ai, “ne duhet t’i hyjmë kësaj përpjekje”.

“Ne do t’i hyjmë kësaj përpjekje pikërisht ne emër të atyre që thashë dhe të bijave, bijve, nipërve dhe mbesave të tyre që na e dhanë votën pa na njohur nga afër, duke na parë në televizor, pa pasur asnjë lidhje gjaku dhe taraf me ne, por ama duke shpresuar që ne do t’i trajtojmë fëmijët e tyre në mënyrë të barabartë me tanët, kur fëmijët e tyre kërkojnë thjesht të vlerësohen sipas meritës. Kush jemi ne që i privojmë ata nga kjo kërkesë krejt legjitime në këmbim të besimit dhe të mbështetjes që na kanë dhënë?”, vijoi Rama.

“Kush është bërë deputet për të sistemuar në punë shteti familjaret dhe kushërinjtë duhet ta dijë që sot, nuk do jetë më fare i mirëpritur në grupin parlamentar nëse do shfaqet si personazh nepotik i pakorrigjueshëm dhe komisioni i etikes do bëjë pikërisht këtë, do caktojë kornizën dhe kufijtë, çfarë është e mundur dhe çfarë nuk është e mundur dhe një deputet që thotë: “po pse, familjarët e mi janë të aftë” duhet të bëjë një gjë shumë të thjeshtë, duhet të lërë mandatin dhe tu japë mundësi familjarëve të vet të tregojë aftësinë e tyre në punët e shtetit si drejtues. Shumë e thjeshtë! Kjo pune është sakrificë, nuk është privilegj. I vetmi privilegj që ka kjo punë është privilegji që ne të bëjmë çfarë të mundemi për ata që na kanë dhënë besimin dhe kur të shkojmë te Shën Pjetri, ku nuk pranohen as kesh-i, as kartat e kreditit as lidhjet farefisnore”, tha Rama. /gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›