E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Kosova duhet të përmbushë kushtet e BE-së përndryshe vazhdon të izolojë veten

TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në konferencën “Shqipëria, Horizonti i Ri” në Vjenë, me pjesëmarrjen e sipërmarrjeve nga mbi 25 vende të botës.

Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë trajtoi një sërë çështjesh të lidhura me aktualitetin. I pyetur në lidhje me sigurinë në rajon dhe konkretisht për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Rama tha se ende nuk ka aspak përparim në këtë drejtim.

Kreu i qeverisë u shpreh se Kosova duhet të bëjë detyrat që i jepen nga Bashkimi Evropian dhe mos të ndikohet nga qëndrimet e Serbisë.

“Më trishton të shoh që nuk ka aspak përparim në këtë drejtim dhe kam qenë dhe vazhdoj të mbetem i bindur se ka një rrugë shumë të artë. Kosova nuk duhet të shohë Serbinë, nuk duhet të dijë çfarë bën Serbia, por duhet të bëjë pjesën e vet, duhet të bëjë detyrat e veta, që t’i japë BE-së të gjithë atë fletoren me detyrat e bëra të shtëpisë dhe duhet të kërkojë të ecë përpara. Kjo nuk ka të bëjë me përmbushjen apo pranimin e asaj çfarë kërkon Serbia, por ka të bëjë me pranimin e asaj që kërkon BE”, tha Rama.

Rama e cilësoi dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për Kosovën dhe Serbinë si një dështim. Rama tha se Kosova duhet të përmbushë kushtet e caktuara nga BE-ja përndryshe vazhdon të izolojë veten.

“Ky dialog i ndërmjetësuar nga BE-ja, që është një dështim i madh, pasi formati është i gabuar, e kam thënë që në ditën parë, dhe kjo ndodh pasi është bazuar në një parim shumë të thjeshtë, vendet duhet të përmbushin kushtet që lidhen me vlerat, parimet dhe mënyrën e jetesës së BE-së”, tha Rama.

“Nëse Kosova duhet ta bëjë këtë, do të jetë në interesin e saj më të mirë, për të mos e lidhur veten me Serbinë. Thjesht ta bëjë këtë gjë. Në të kundërt do të vazhdojë ta izolojë veten gjithnjë dhe më shumë dhe është për të ardhur keq”, tha Rama.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›