E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Largimet fenomen i të gjitha vendeve ish-komuniste, ka nisur kthimi

TIRANË, 2 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se largimi nga vendi është një periudhë historike që e kanë kaluar të gjitha vendet që dolën nga komunizmi.

Në një bashkëbisedim me pensionistë, Rama u shpreh se nuk duhet të gjenden fajtorë për këtë fenomen.

“Unë mendoj që duhet ta ndajmë këtë gjë. O bëmë gjënë e duhur që dolëm nga bunkeri, ose bëmë gabim se ishim mirë të gjithë bashkë në bunker. Në momentin që ne dolëm nga bunkeri si vendi më i prapambetur i Europës, me diferencë shumë të madhe nga vendet ish-komuniste, ne hymë në një sfidë tjetër dhe natyrisht që vendi do kohën e vet që të arrijë të bëjë që njerëzit ta kenë pastaj ikjen një çështje të thjeshtë zgjedhjeje, se larg qoftë që njerëzit të rrinë të gjithë në një vend, se kjo është një botë gjithmonë e më e vogël dhe njerëzit lëvizin gjithmonë e më shumë, por që ta kenë zgjedhje, jo të detyruar”, u shpreh ai.

Sot, sipas tij, “është e kuptueshme që për shumë të rinj që mund të jenë në zona periferike apo për shumë të rinj që i gënjen ideja që po të shkosh atje e gjen shtruar etj., është gjëja më normale që të tentojnë”.

“Dhe ne nuk kemi fare pse të bëjmë shkencë. Kjo u ka ndodhur të gjitha vendeve që kanë dalë nga komunizmi. Dhe po të shikosh vendet që sot e kanë kapërcyer përfundimisht të shkuarën dhe janë tani vende që kanë pozicion shumë dinjitoz në Bashkimin Europian -Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria – në ato vende është koha e kthimeve”, tha Rama.

Sipas tij, “sot në këto vende është koha e kthimeve, sepse tani ata janë në gjendje që t’u ofrojnë njerëzve të njëjtat standarde”.

“Natyrisht që këtu nuk është çështje page vetëm. Unë e kuptoj shumë mirë. Këtu nuk është çështje page. Këtu është çështja e arsimit, këtu është çështja e shëndetësisë, këtu është çështja e shërbimeve etj. Dhe për të gjitha këto ne kemi akoma hendek për të mbyllur, por s’është faj i njërit apo i tjetrit. Është një periudhë historike që, siç e kanë kaluar të gjithë, do ta kalojmë edhe ne”, u shpreh Rama. /j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›