E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Legjitimiteti i kreut të bashkisë së Tiranës, domosdoshmëri për rritjen e investimeve

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka theksuar sot rëndësinë e legjitimitetit të udhëheqjes së bashkisë së Tiranës për të përballuar një sërë sfidash që lidhen me rritjen e kërkesave për arsimin dhe infrastrukturën publike, si dhe për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve që kanë qytetarët e Tiranës, veçanërisht në sektorët e transportit urban.

Në takimin që zhvilloi sot me deputetët socialistë të qarkut të Tiranës, ministra të qeverisë dhe ish-deputetë, Rama theksoi se kërkesa për kopshte dhe çerdhe publike po rritet më shpejt sesa mund të ofrohet, dhe se ky proces duhet patjetër të udhëhiqet nga Bashkia.

“Duhet të kontribuojnë të gjithë ata që ndërtojnë në Tiranë për të krijuar hapësira për kopshtet dhe çerdhet, dhe ky proces duhet të drejtohet nga Bashkia”, tha ai.

Kryeministri vuri në dukje se qytetarët janë gjithashtu shumë të shqetësuar për transportin publik, jo vetëm në qytetin e Tiranës, por edhe në zonat rurale të bashkisë, ku ka probleme serioze. Po ashtu, Rama foli për nevojën për zgjidhje për ata që janë prekur nga tërmeti dhe për çështjet që lidhen me regjistrimin dhe financimin e kantiereve të rindërtimit që nga zona e Kombinatit e deri tek “5 Maji”.

Duke vlerësuar punën e kryetares në detyrë dhe grupit të nënkryetarëve të rinj, Rama theksoi se bashkia ka bërë maksimumin në kushte të vështira, por e theksoi sërish se është e nevojshme që udhëheqja e bashkisë të legjitimohet përmes votës popullore.

Ai tha se kërkesa për këtë legjitimitet është gjithnjë e më urgjente, për shkak të situatës dramatike me prokurimet publike dhe investimet e pamjaftueshme.

“Nevoja për të legjitimuar udhëheqjen e bashkisë me votën e popullit është çdo ditë dhe më urgjente. Dhe mjafton të shohësh situatën dramatike me prokurimet publike që janë në nivelin më të ulët historik për të kuptuar që aty ka nevojë pikërisht për legjitimitet demokratik dhe motivim të njerëzve. Apo mjafton të shohësh rënien dramatike të realizimit të investimeve për të kuptuar që nevoja për legjitimitet demokratik është e jashtëzakonshme ne këtë fazë dhe nuk mundet të presë më gjatë”, u shpreh Kryeministri.

Ai nënvizoi domosdoshmërinë për një proces katarsisi burimor, në kuptimin e vetëpastrimit të bashkisë së Tiranës, ashtu siç është bërë dhe po bëhet edhe me bashkitë e tjera.

“Tirana e ka të nevojshme. Kërkohet legjitimi i udhëheqjes së re të bashkisë së Tiranës në mënyrë që të mos kemi më situata ku hapësirat publike rezultojnë të zëna nga punonjës apo nga drejtues të njësive vendore, që është një gjë e tmerrshme dhe të cilën ne praktikisht do ta adresojmë në ligjin e ri në paketën e re që do kalojmë në qeveri, që sjell edhe ndëshkimin e rëndë penal për të gjithë ata që paguhen nga taksat e qytetarëve dhe që shkelin ligjin”, deklaroi Rama.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›