E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Magjistratët janë mbi majën e piramidës së pagave, kërkesa për rritje është “lajthitje në objekt”

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se gjyqtarët dhe prokurorët ndodhen mbi majën e piramidës së pagave, duke theksuar se ky pozicion është rezultat i vendimeve të marra në kuadër të reformës në drejtësi.

Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve, Rama tha se gjykata kishte të drejtë të kontrollonte formulën e miratuar nga Kuvendi, të konstatonte papajtueshmëri me Kushtetutën, si dhe të shfuqizonte dispozitat përkatëse, por, sipas tij, nuk mund t’i diktojë ligjvënësit mënyrën se si duhet të hartohet zgjidhja e re ligjore.

“Pikësëpari, a kishte të drejtë Gjykata Kushtetuese të kontrollonte formulën e miratuar nga Kuvendi? Po. Të konstatonte një papajtueshmëri të caktuar sipas saj? Patjetër që po. Të shfuqizonte dispozitat përkatëse dhe të kërkonte miratimin e ndryshimeve, askush nuk e diskuton. Por, nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese nuk i thotë dot ligjvënësve se si duhet të jetë zgjidhja sipas asaj norme, brenda së cilës ata duhet të lëvizin”, tha Rama.

Kryeministri e cilësoi çështjen si një debat parimor që, sipas tij, shkon përtej situatës aktuale dhe lidhet me mënyrën se si do të funksionojë sistemi i pagave në të ardhmen.

Rama rikujtoi se, gjatë reformës në drejtësi, qeveria vendosi të rrisë ndjeshëm pagat e magjistratëve, me argumentin se reforma rrënjësore në sistemin e drejtësisë dhe nevoja për të krijuar një trupë të motivuar gjyqtarësh e prokurorësh e bënte këtë të domosdoshme.

“Kur ne bëmë reformën në drejtësi, kemi marrë përsipër të bëjmë diçka ‘të padrejtë’. Kemi rritur pagën e magjistratëve në mënyrë stratosferike për normat dhe nivelin e pagave tona dhe kjo me vullnet të plotë dhe me arsyetimin se një reformë rrënjësore në drejtësi dhe nevoja për të vendosur mbi barrikadën e drejtësisë së re një grup magjistratësh të motivuar e bënte atë të domosdoshme”, u shpreh ai.

Sipas Ramës, ky vendim ndryshoi raportet në piramidën e pagave, duke i vendosur gjyqtarët dhe prokurorët në nivelet më të larta.

“Kështu ne kemi prishur piramidën e pagave. Nëse piramida e pagave është kjo, ne i ngritëm gjykatësit më lart. Me cilën logjikë ju kërkoni, dhe kushdo tjetër kërkon, që sa herë të rritet paga më poshtë piramidës, të rritet dhe tek maja këtu?”, tha Rama.

Ai argumentoi se një qasje e tillë do të sillte një situatë ku pagat e gjyqtarëve do të duhej të rriteshin në mënyrë të vazhdueshme sa herë rriten pagat në nivelet e tjera të administratës.

“Pra, i bie që në të gjitha gjeneratat ne do të ndërtojmë të vetmen republikë, të vetmen mbretëri, të vetmen perandori, të vetmin sistem që ka parë historia e botës, ku gjykatësit janë mbi piramidën e pagave”, u shpreh Kryeministri.

Rama tha se pretendimi se mosrritja e pagës përbën ulje të saj, në një kohë kur magjistratët ndodhen në nivelet më të larta të piramidës së pagave, nuk qëndron.

“Është një akt papërgjegjshmërie. Tani të thuash që mua më ulet paga, sepse s’më rritet, ndërkohë që unë jam në nivelin mbi piramidën si magjistrat, dhe të thuash që sa herë u rritet të tjerëve, të më rritet dhe mua sepse më cenohet cilësia ime e jetës, është lajthitje në objekt”, tha Rama.

Kryeministri u ndal edhe te parimi kushtetues i mbrojtjes së pagës së gjyqtarëve, duke argumentuar se ky parim synon të garantojë pavarësinë e pushtetit gjyqësor nga ndërhyrjet e mundshme të pushteteve të tjera.

“Pikërisht për arsyen se pushteti legjislativ është një pushtet i pavarur, çdo kushtetutë demokratike ka një përcaktim që e ka dhe e jona. Paga e gjyqtarëve nuk mund të ulet. Është specifike, thotë paga e gjyqtarëve s’mund të ulet. Pse? Sepse Kushtetuta dhe të gjitha kushtetutat demokratike kanë parasysh tensionin që krijohet mes pushteteve”, tha ai.

Sipas Ramës, garantimi kushtetues i pagës së gjyqtarëve lidhet me nevojën për t’i mbrojtur ata nga presioni apo hakmarrja e mundshme e një pushteti tjetër politik përmes mekanizmit të pagave.

“A jemi ne në kushtet e uljes së pagës? Ndërkohë që ata janë mbi piramidën e pagës, mua më duket e paarsyeshme”, përfundoi Kryeministri.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›