Pagat e magjistratëve, Rama: Kushtetuesja nuk mund t’i thotë ligjvënësit sesi duhet ta ngrejë dorën

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot në Kuvend se Gjykata Kushtetuese nuk duhet të ndërhyjë në sferën e ligjvënësit, duke theksuar se kompetenca për krijimin e normave të reja i takon pushtetit legjislativ.
Duke folur gjatë debatit për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, Rama tha se çështja lidhet me ekuilibrin ndërmjet pushteteve të pavarura në një republikë parlamentare.
“Është e pabesueshme se si përfaqësues të një pushteti të pavarur, thjesht e vetëm për inat të palës tjetër, dorëzojnë me këtë kollajllëk pushtetin e tyre te një pushtet tjetër. Dhe kjo nuk ka lidhje vetëm me atë që flasim sot për pagat e gjyqtarëve. Kjo ka lidhje me ekuilibrin e pushteteve të pavarura në një republikë parlamentare”, u shpreh Rama.
Kryeministri iu referua edhe një debati të mëparshëm në Kuvend lidhur me deputeten Olta Xhaçka, duke përmendur qëndrime të Komisionit të Venecias dhe kufijtë e kompetencave të gjykatave kushtetuese.
Sipas Ramës, Gjykata Kushtetuese, si organ gjyqësor dhe jo politik, ka kompetencën të interpretojë në mënyrë autoritative normat ekzistuese, ndërsa krijimi i normave të reja kushtetuese i takon ligjvënësit.
Rama pranoi se kufiri mes interpretimit të një norme ekzistuese dhe krijimit të një norme të re nuk është gjithmonë i lehtë për t’u përcaktuar, por theksoi se duhet shmangur, sipas tij, perceptimi i një “qeverisjeje të gjyqtarëve”.
“Kufiri ndërmjet interpretimit të një norme ekzistuese dhe krijimit të një norme të re nuk është gjithmonë i lehtë për t’u përcaktuar, por duhet shmangur perceptimi i një qeverisjeje të gjyqtarëve”, tha Rama.
Rama theksoi se Gjykata Kushtetuese është e pavarur nga Kuvendi dhe qeveria dhe se roli i saj është të kontrollojë respektimin e normave kushtetuese.
“Nëse ne ngremë dorën gabim dhe Gjykata Kushtetuese na thotë se u shkel kjo normë, prandaj kjo normë rrëzohet, Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i thotë në asnjë rast dhe për asnjë arsye një pushteti të pavarur se si duhet të ngrejë dorën”, deklaroi Kryeministri.
Në lidhje me formulën dhe shumën e përcaktuar në projektligjin për pagat e magjistratëve, Rama tha se Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i diktojë Kuvendit tekstin që duhet të miratojë apo shumën konkrete.
“Kjo është një veçori sepse sot këtu në sallë janë 84 vota që janë të nevojshme për të miratuar këtë normë”, tha Rama.
/e.i/r.e/a.f/