E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: “Male të Pastra”, traditë e përvitshme për pastrimin e 10 parqeve kombëtare

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Nisma “Male të Pastra” angazhoi qindra vullnetarë në aksione pastrimi në parqet kombëtare të Dajtit, Tomorit, Llogorasë, Qafështamës, Zagorisë, Prespës, Shebenikut, Korab-Koritnikut si dhe në Alpet Shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga aksioni i pastrimit në Parkun e Qafështamës.

“Momente të një ndër nismave të bukura siç është ‘Male të Pastra’, e kthyer tashmë në traditë të përvitshme nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe qindra vullnetarë të dedikuar për pastrimin e 10 parqeve kombëtare e natyrore në Shqipëri”, u shpreh Rama.

Nisma “Male të Pastra” u organizua këtë vit në 26 gusht. Kjo nismë synon sensibilizimin për ruajtjen e ekosistemeve malore dhe mbajtjen pastër të tyre.

Me këtë rast, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka ndërmarrë një seri aksionesh pastrimi në zonat e mbrojtura, si parqet kombëtare apo natyrore.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›