Rama: Mandati i katërt do ta bëjë ndryshimin e Shqipërisë të qëndrueshëm dhe të besueshëm

TIRANË, 24 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se “Shqipëria 2030” në Bashkimin Europian përfaqëson një mënyrë të re jetese, ndërsa theksoi se mandati i katërt synon që ndryshimi i vendit të bëhet i qëndrueshëm dhe i besueshëm për të gjithë.
Sipas Ramës, “Shqipëria 2030” në Bashkimin Europian nuk është një pikë e shtuar në hartën e Europës së Bashkuar, por është një mënyrë e re jetese që sapo ka nisur të marrë formë.
“‘Shqipëria 2030’ është vendi me paga që afrohen me ato europiane, shërbime që maten me standarde europiane, drejtësi që funksionon njësoj për të gjithë, mundësi që mbajnë më shumë fëmijët tanë këtu dhe që kthejnë gjithmonë e më shumë ata që kanë ikur”, shtoi Rama.
Rama theksoi se tre mandatet e para iu përgjigjën pyetjes nëse Shqipëria mund të ndryshonte.
Ndërsa mandati i katërt, sipas tij, “do t’i përgjigjet një pyetje më të vështirë, a mund të bëhet ky ndryshim i qëndrueshëm, i besueshëm dhe i të gjithëve”.
“Dhe duhet t’i përgjigjet kësaj pyetje me empati. Kjo është kthesa, nga transformimi i vendit te besueshmëria e transformimit; nga autoriteti që mjaftohet me pushtetin, te autoriteti që mbështetet te besimi; nga fjala e dhënë politikisht, te fjala e kontrollueshme institucionalisht”, shtoi ai.
Duke iu drejtuar njerëzve të zakonshëm që mbushën bulevardin, Rama i siguroi se i ka dëgjuar.
“Flamingot nuk i mban në lagunë as gardhi as dekreti. I mban vetëm uji i qetë. Kur uji trazohet, ngrihen, ikin dhe kthehen vetëm kur e gjejnë ujin ashtu siç e duan. Kështu është dhe besimi i një populli. Nuk vritet me një krisëm, largohet kur trazohet uji dhe nuk kthehet me thirrje, por vetëm kur gjen ujin miqësor”, tha Rama.
Ndaj, sipas tij, “puna e mandatit të katërt është një dhe e vetme, të mbledhim ngado, nga të gjitha burimet, ujin e trazuar të besimit dhe ta bëjmë këtë me empati dhe flamingot do kthehen”.
“Rilindja 2.0 është emri që ne i vumë ciklit të ri politik. “Besa” është metoda për ta kthyer atë cikël në një përvojë të re për qytetarët e Shqipërisë”, tha në përfundim kryeministri. /j.p/