E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Masa drastike kundër atyre që shkelin çmimin e naftës të Bordit të Transparencës

TIRANË, 5 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot se masat për të gjithë ata që do të shkelin çmimin e përcaktuar nga Bordi i Transparencës, në bazë të tregjeve të çmimit të karburantit, do të jenë drastike.

Në nisje të podkastit “Flasim”, Rama u ndal te miratimi i Aktit Normativ për uljen e akcizës së naftës, ndërsa theksoi se ulja e akcizës me 20% është një masë që hyn në fuqi menjëherë kur çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër dhe ai i benzinës 200 lekë për litër.

“Këtë javë kemi miratuar edhe aktin e premtuar normativ për uljen e akcizës së naftës, në momentin kur nafta, si pasojë e impaktit të luftës mbi tregjet ndërkombëtare, të kalojë limitin e 220 lekëve. Këto pragje janë paracaktuar për të garantuar një ndërhyrje të drejtë dhe të balancuar në raport me zhvillimet e tregut”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se qeveria ka detyrimin t’i trajtojë zhvillimet në tregun e hidrokarbureve në funksion të amortizimit të goditjes së menjëhershme mbi konsumatorët, pa cenuar nga ana tjetër, stabilitetin e financave publike.

“Këto janë zhvillime që nuk i kemi në dorë, nuk jemi shkaktarë të tyre dhe nuk kemi as fuqinë që t’i ndalojmë, përveçse kemi detyrimin që t’i trajtojmë në funksion të amortizimit të goditjes së menjëhershme mbi konsumatorët, pa cenuar, nga ana tjetër, stabilitetin e financave publike në një kohë kur pasiguria në tregjet ndërkombëtare mbetet e lartë dhe po aq edhe dinamike”, tha Rama.

Kryeministri informoi se masa do të mbetet në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës ndërkombëtare, ndërsa Bordi i Transparencës, që është vënë në lëvizje, do të mbetet garant i çdo zhvillimi në tregjet globale për të reflektuar në mënyrë të drejtë dhe të verifikueshme atë çka duhet të ndodhë në tregun vendas.

“Ky është një reagim i duhur, i matur në kohë, që garanton vendimmarrje të shpejta, që mishëron përgjegjësi të plotë dhe që do të bëjë të mundur që qytetarët, drejtuesit e automjeteve, të mos abuzohen nga distributorët e naftës”, u shpreh ai.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›