Rama: Mbështesim inovacionin në sektorin e manifakturës

TIRANË, 28 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama garantoi sot mbështetje për sipërmarrjet që operojnë në sektorin e manifakturës, të cilat përfshijnë inovacionin në rrugën e tyre të zhvillimit.
I pranishëm në tryezën e dialogut mes qeverisë dhe biznesit eksportues ku u shpalos platforma e re ExportOn, kryeministri Rama u ndal te tranzicioni i pashmangshëm në sektorin e manifakturës që kalon nga fasoneria te cikli i mbyllur.
“Kjo na ka dhënë një provë shumë të qartë që sipërmarrja që nuk garantohet nga oksigjeni i shtetit por i beson inovacionit dhe transformimit fiton. Ndërsa kush pret që në të kundërt të erës së imponuar nga transformimi, të vazhdojë të rrijë aty ku është mësuar dhe ka qëndruar duke u mbajtur me oksigjen nga shteti është thjesht dhe vetëm duke shtyrë me agoni ditët e fundit”, tha Rama.
Për të krijuar më shumë vlerë të shtuar përmes manifakturës, Rama siguroi se qeveria do të bëjë më shumë në mbështetje të sipërmarrjeve që do të përqafojnë sfidën e transformimit. /j.p/