E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Mbi 67 mijë fermerë të mbështetur në një vit

TIRANË, 22 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama kujtoi sot se bujqësia shqiptare ishte një sektor i braktisur totalisht një dekadë më parë kur numri i fermerëve që merrnin mbështetje simbolike nga shteti ishte vetëm 5600, ndërsa sot sipas tij përfitojnë 67 500 fermerë.

Në një aktivitet ku u prezantua “Euro Agro Albania”, një nga mekanizmat për përgatitjen e bujqësisë shqiptare drejt Bashkimit Europian, Rama theksoi se mbështetja për bujqësinë nuk është më simbolike por peshon në portofolin e fermës.

Kryeministri u ndal edhe te plani i veprimit dhe domosdoshmëria e ndërveprimit të fermerëve me shtetin, që bujqësia shqiptare të përballojë sfidën e tregut europian, në kontekstin e Shqipërisë anëtare në BE.

Sipas Kreut të qeverisë bëhet fjalë për një kontratë shtetërore shumë komplekse ku çdo faktor shtetëror dhe shoqëror duhet t’i përgjigjet kontratës.

“Kontrata për bujqësinë është pjesa më e vështirë, siç ka treguar edhe eksperienca e vendeve të tjera. Ashtu sikundër është edhe më e mirëpritura për ata që janë të përgatitur për t’u përballur me kushte, standarde dhe kontrolle që burojnë nga cilësia shumë e lartë e sigurisë dhe e produkteve, kur vjen puna për të qenë lojtar në tregun e bashkuar europian”, u shpreh Rama.

Por, Rama shprehu bindjen se çdo fermer që ka kaluara sfidën e jashtëzakonshme të mbijetesës të një dekade më parë, do ta kalojë edhe këtë sfidë.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›