Rama: Mbi 7 mijë orë edukimi mjedisor në rreth 400 shkolla të vendit

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Prej 3 vitesh në shkollat e vendit po zhvillohet Programi i Edukimit Mjedisor, si një ndër mënyrat më të mira për t’i rritur nxënësit dhe fëmijët me dashurinë për natyrën.
Edukimi mjedisor natyror i ndihmon nxënësit të njihen me çështje të rëndësishme dhe jetike mjedisore si ujin, ajrin, tokën, natyrën, biodiversitetin.
Kryeministri Edi Rama, ndau sot në rrjetet sociale, shembullin e nxënësve të shkollës “Jorgji Dilo” në Elbasan, të cilët e kthyen programin e edukimit mjedisor në një hapësirë veprimi dhe ndërgjegjësimi për mbrojtjen e natyrës përmes gjesteve të vogla, por kuptimplota.
Rama vuri në dukje se orët e edukimit mjedisor në shkolla janë themel për krijimin e një kulture të re qytetare, ku mësohet për riciklimin, kursimin e burimeve, mbrojtjen e biodiversitetit dhe përgjegjësinë ndaj hapësirës publike.
Sipas kryeministrit Rama, vetëm përmes programit të Ministrisë së Mjedisit dhe Agjencisë së Zonave të Mbrojtura në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, janë realizuar mbi 7 mijë orë edukimi mjedisor në rreth 400 shkolla.
Përgjatë orëve të edukimit mjedisor, nxënësit përfshihen emocionalisht dhe fizikisht në çështjet që lidhen me mjedisin. Ata mësojnë për zgjidhjen e shqetësimeve dhe problematikave të ndotjes, mbetjeve, energjisë, ekonomisë qarkulluese dhe mbrojtjen e dashurinë për natyrën.
Gjatë orëve të mësimit nxënësit informohen nga ekspertët e zonave të mbrojtura dhe kultivojnë dashurinë për ekosistemet, biodiversitetin, lagunat, parqet dhe përkujdesjen ndaj tyre.
/e.i/j.p/r.e/