E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Më 11 maj zgjedhim mes të mirës së përbashkët dhe interesit të një personi që nuk di se çfarë thotë

TIRANË, 29 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot një takim elektoral Patos ku theksoi se “në 11 maj Shqipëria nuk do të zgjedhë mes forcash politike, por do të zgjedhë mes vendit të saj në BE dhe alternativës tjetër të kthimit mbrapa përsëri”.

Në fjalën e tij, Rama tha se “Shqipëria do të zgjedhë mes të mirës së përbashkët të një populli të tërë dhe interesit të një 80 e kusur vjeçari që përsëri do të bëjë çorap Shqipërinë, megjithëse më shumë nuk e di se çfarë thotë se sa di çfarë flet”.

“Asnjëherë si këtë herë gratë dhe burrat e vajzat e Patosit nuk janë mbledhur kaq të shumtë në këtë shesh për të na pritur, për të na mbështetur, për të na mbushur me energji që deri në 11 maj të krijojmë shumicën më të madhe që PS ka pasur ndonjëherë qysh kur ne kemi nisur së bashku këtë rrugëtim, i cili më shumë se një rrugëtim për të ndryshuar gjërat këtu në Shqipëri është një rrugëtim për të ndryshuar përfundimisht pozicionin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në zemrën e kontinentit evropian”, tha Rama duke shtuar se  është koha që Shqipëria dhe shqiptarët të hyjnë në shtëpinë e familjes së bashkuar evropiane njëherë e mirë.

Kreu i qeverisë tha se “këtë kohë e kemi sjellë me shumë përpjekje, por këtë kohë e ka sjellë edhe fati europian i shqiptarëve, pasi për herë të parë qysh se ne kemi dalë nga diktatura nuk jemi vetëm ne që duam të hyjmë në BE, por është edhe BE që do Shqipërinë në shtëpinë e saj”.

“Për këtë arsye 11 maji nuk është dita e zgjedhjeve të radhës, çdo zgjedhje ka shumë rëndësi për një vend, çdo zgjedhje luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e një vendi, e një komuniteti, e një shoqërie, por nganjëherë ndodh që zgjedhjet të mos jenë thjesht një ballafaqim mes forcash politike dhe një vendim i shumicës se cilën forcë duhet të mbështesë, por të jenë siç janë këto të 11 majit një takim me historinë”, theksoi Rama.

Më tej, Rama shprehu besimin se shqiptarët në këto ditë do ta ndiejnë peshën e përgjegjësisë së 11 majit.

“Shqiptarët në këto ditë nuk do ta harrojnë se kur Gjergj Kastriot Skënderbeu vuri barrikadën për të mbajtur anën e Europës nuk kishte BE. Por ama ai si profeti i historisë sonë kombëtare na e përcaktoi fatin në vendin tonë me Europën dhe jo me Azinë, me perëndimin dhe jo me lindjen. Atë përcaktim të profetit të historisë sonë, rilindasit tanë na e lanë të shkruar si amanet, amanet që s’duhet ta harrojë askush për ne shqiptarët dielli lind andej nga perëndon”, tha Rama.

Në gjithë këto vite, shtoi Rama, shqiptarët u munduan që t’i bashkoheshin Europës duke shkuar në Europë.

“Ashtu si shumë shqiptarë të Europës sot janë integruar atje dhe janë imponuar me punën, dhe me karakterin e tyre është koha që Shqipëria e tëra të bëjë të njëjtën gjë. Është koha që çdo shqiptar brenda ose jashtë kufijve, çdo prind brenda ose jashtë kufijve, çdo vajzë dhe djalë nga votuesit e parë që janë këtu sot, të marrë përsipër në 11 maj fatin europian të Shqipërisë dhe duke bërë zgjedhjen e duhur të vendosë që secili dhe secila të kenë pasaportën europiane”, tha Rama. /k.s/j.p/

1 nga 9

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›