E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Mediet sociale po sfidojnë realitetin tonë të përbashkët, policia pala më e dëmtuar nga protestat - ATSH -

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi ditën e sotme nga Brukseli se, protestat e dhunshme në Shqipëri ndryshe nga ato në vendet evropiane, sollën më shumë të dëmtuar në radhët e forcave të policisë.

Gjatë intervistës me Maria Tadeon, në Samitin e Euronews për Zgjerimin, duke folur për protestat në vend, Rama tha se ka pasur protestues të dhunshëm, por ndryshe nga çdo vend tjetër që u përball me të tilla momente të dhimbshme, në Shqipëri pala më e dëmtuar ishte policia.

I pyetur nga gazetarja Tadeo, lidhur me protestat e muajve të fundit, Rama iu përgjigj se “Shqipëria është në një tjetër fazë”.

“Ne kemi hedhur një hap historik, nga një vend që duhej të përmbushte nevojat, në një vend me pritshmëri të larta. Njerëzit sot kanë pritshmëri të larta. E dimë nga historia, nga ata që kanë studiuar kombet dhe demokracitë, që vjen një moment në kohë ku të duhet të përballesh jo më me nevojat, por me pritshmëritë e larta. E dyta, nuk jemi vetëm ne, po ndodh gjithkund. Do të ishte edhe më e ndërlikuar për vende që ende nuk e shohin që po vjen, sepse kemi një realitet të ri që po sfidon realitetin tonë të përbashkët, që është realiteti i medieve sociale. Janë dy botë të ndryshme. E kam parë dhe e kam përjetuar personalisht dhe munda ta vlerësoja si një fuqi për të krijuar një përballje kryekëput skizofrenike me realitetin”, tha Rama.

Kreu i Qeverisë tha se në tubimet në Shqipëri, “kishim dyfishin e të plagosurve nga Policia. Pra, policia ishte pala më e dëmtuar në këto demonstrata. Po të shihnim mediet sociale dhe televizionet që marrin informacion nga mediet sociale, ajo që ka ndodhur në Shqipëri paraqitej unike për nga brutaliteti i policisë. Por, tashmë, ne na duhet të përballemi me këtë brez që po rritet në realitetin e vet”, theksoi ai.

/e.i/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›