Rama: Migracioni nuk është problemi, është pjesë e zgjidhjes

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndodhet në Londër për të marrë pjesë në punimet e samitit vjetor të Procesit të Berlinit, edicioni i të cilit për këtë vit mbahet në Mbretërinë e Bashkuar, me praninë e kryetarëve të qeverive, përfaqësuesve të nivelit të lartë të BE-së dhe vendeve partnere të Procesit të Berlinit, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe organizatave rajonale të përfshira në proces.
Kryeministri ishte i ftuar në “Future Resilience Forum 2025”, forumi ndërkombëtar i sigurisë dhe politikave globale. Rama u pyet në lidhje me sfidat me emigracionin e paligjshëm.
Kreu i qeverisë theksoi se “ta karakterizosh migracionin si problemin është gabim, migracioni nuk është problemi, është pjesë e zgjidhjes”.
Rama nënvizoi se “duhet të bëhet dallimi midis asaj që është e parregullt, e dëmshme, e paligjshme dhe midis asaj që është dobiprurëse”, teksa iu rikthye edhe etiketimit të ish-sekretares së Brendshme britanike, Suella Braverman për emigrantët shqiptarë, që sipas tij “e veçoi komunitetin shqiptar në mënyrën më të gabuar të mundshme”.
Kreu i qeverisë vlerësoi gjithashtu punën e emigrantëve të ndershëm të Britaninë e Madhe.
Rama tha se demografia në fakt është e errët jo vetëm për Britaninë, por edhe për Evropën.
“Migracioni nuk është problemi, është pjesë e zgjidhjes. Të luash me migracionin në mënyrën si po luhet është shumë e rrezikshme, sepse është shumë ndikuese.
“Pra dëmton vlerat që e kanë bërë vetë Britaninë e Madhe, atë vend demokratik ku bashkëjetohet, sepse shndërrohet në luftë kulturore dhe pastaj shkon thellë e më thellë duke ndezur mosmarrëveshje dhe dëshpërim që mund të hedhin në erë gjithë shoqërinë në një moment të caktuar në kohë”, tha Rama.
Gjatë intervistës Rama u pyet edhe për situatën politike në Evropë.
“Besoj se nëse dikush do të kuptoj pak më mirë se çfarë ndodh me Evropën duhet të hapë veshët dhe të dëgjojë të tjerët jashtë Evropës. Të dëgjojë mendjet e mëdha e të ndritura të Azisë, të jugut global, vendeve Arabe dhe të gjithë ata e shohin Evropën si një gjigand të vjetër të lodhur, që nuk është më në gjendje të zgjohet e të kuptojë se bota ka ndryshuar. Ka një fakt të thjeshtë, që më pak se 40 vjet më parë Prodhimi i Brendshëm Bruto i Evropës ishte 10 herë më e madh se i Kinës. Sot janë në nivele të barabarta dhe në më pak se 20 vjet Kina do të ketë dyfishin e ekonomisë së Evropës.
“Evropa gjendet në një udhëkryq, në një moment shumë kritik, sepse i duhet të ndajë mendjen për të plotësuar e përfunduar projektin e etërve themelues që pa asnjë pikë dyshimi, është projekti më i jashtëzakonshëm që qenia njerëzore politike ka krijuar apo të ecë në një drejtim më katastrofik dhe të ndjekë shembullin e Brex-it që ishte vetëvrasja më e pabesueshme që mund t’i imagjinojë të shihje drejtpërdrejt”, tha Rama.
/m.q/a.f/r.e/