E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Monitorim teknologjik i territorit përmes dronëve

TIRANË, 21 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se po punohet për të nisur monitorimin teknologjik të strukturuar të territorit përmes dronëve.

Rama iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjeve dhe komenteve të adresuara nga qytetarët në platformat sociale lidhur me aksionin e ndërmarrë së fundi në territor për lirimin e hapësirave publike.

“Ka lloj-lloj qasjesh dhe unë dua të prek një pikë që e shoh të rishfaqet shpesh: ‘përse gjithmonë kështu?’. Jo, nuk është gjithmonë kështu. Ka një problematikë me territorin por është ku e ku në krahasim me më parë. Ne na duhet të rikthehemi herë pas here sepse ka ende për të bërë, por jo sepse gjërat janë në pikën ku ishin më parë”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se “patjetër që ka nevojë për riorganizim të mëtejshëm”.

“Kjo nuk është një çështje thjesht dhe vetëm inspektorësh dhe inspektimesh, por e vendosjes në një nivel tjetër të kontrollit përmes teknologjisë”, theksoi ai.

Kryeministri bëri të ditur se “jemi shumë afër edhe në këtë aspekt ndërkohë që kemi nisur punën me monitorimin teknologjik të rrugëve”.

“Kemi Qendrën e Monitorimit të Trafikut, kemi pjesë të këtij plani pune edhe monitorimin e shkollave, por ndërkohë jemi në një proces për të nisur edhe monitorimin teknologjik të strukturuar të territorit ku do të mund të ndjekim gjithçka ndodh në territor përmes dronëve”, theksoi ai.

Ndërkohë, sipas kryeministrit, informacioni i marrë nga dronët do të bëjë që puna e inspektorëve në terren të ballafaqohet me vëzhgimin e teknologjisë.

“Kjo do të na çojë komplet në një nivel tjetër dhe do të jemi shumë më të sigurt për mos prapakthimin e asnjë progresi në këtë drejtim. Duhet të jemi shumë të qartë se ky nuk është proces që nuk merr parasysh se këtu duhet të krijojmë harmoni dhe bashkëjetesë në harmoni mes interesit të qytetarëve, atyre që kanë nevojë për hapësirat e tyre, qoftë për të kaluar në këmbë lirisht apo për të qëndruar lirisht në hapësirat komunitare dhe biznesit” shtoi Rama. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›