Siguria rrugore, 45 mjete të bllokuara, 25 shtetas të arrestuar në Tiranë

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Policia Rrugore e Tiranës ka bërë bilancin e javës që lamë pas, ndërsa bën me dije se 25 shtetas janë vënë në pranga për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Sipas Policisë Rrugore, gjithashtu gjatë javës që u mbyll, 45 mjete janë bllokuar.
Në njoftimin e Policisë, thuhet se në këtë kuadër janë proceduar penalisht 2 shtetas F. B., 20 vjeç dhe D. D., 35 vjeç, pasi me automjetet e parkuara në mënyrë të gabuar kishin penguar lëvizjen. Dy automjetet e tyre janë tërhequr me mjet ngritës.
Gjithashtu, Policia bën me dije se po kryhet monitorim intensiv i akseve rrugore, për të konstatuar shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, të cilat rrezikojnë jetën e përdoruesve të rrugës.
Gjatë kësaj jave janë bllokuar 45 automjete, ndërsa 25 shtetas të arrestuar/të proceduar për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe/ose pa lejedrejtimi.
Policia Rrugore apelon për ndërgjegjësim të drejtuesve të automjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin parkimet e gabuara dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë drejtimit të mjetit, për të mos u kthyer në burim rreziku për veten dhe të tjerët.
Kontrollet intensive do të vijojnë çdo ditë dhe në çdo segment rrugor të Tiranës, me fokus të veçantë te parandalimi i sjelljeve që dëmtojnë sigurinë dhe rrjedhshmërinë e qarkullimit, si dhe te parkimet e gabuara që bllokojnë rrugët apo korsitë.
/e.i/j.p/