E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Ndalohet punësimi në shtet për 7 vite për çdo punonjës që kryen ndërtim pa leje

TIRANË, 3 tetor/ATSH-Maela Marini/ Çdo punonjësi administrate që kryen ndërtime pa leje, përveç masave administrative dhe penale, do t’i ndalohet të punojnë në shtet për një periudhë kohore prej 7 vitesh.

Masa e re ligjore, e bërë publike sot nga kryeministri Edi Rama, vjen në kuadër të një pakete masash që synon ndëshkimin e ndërtimeve të paligjshme.

“‘Sporti’ i ndërtimit pa leje është zhvilluar si sport kombëtar për shumë vite. Ne e kemi ulur çdo vit kurbën, por nuk e kemi sheshuar. Ky sport kombëtar është nxitur edhe nga lart, pasi ka qenë dikush këtu para meje që e quante Bathoren mrekullinë e 8-të të botës, si i pari qytet i ndërtuar i gjithi pa leje”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se në këtë mënyrë është incentivuar ndërtimi pa leje në mënyrë të fuqishme.

“Edhe punonjës të shtetit janë marrë me ndërtime pa leje. Këtu ka një pikë që në rast se konstatohet se punonjësi i shtetit, që merr qoftë edhe një euro nga taksat, ka kryer punime pa leje, qoftë të përkohshme apo të përhershme, do të ndalohet të punojë në shtet për 7 vjet, përveç masave të natyrës administrative apo penale”, u shpreh Rama.

Një tjetër masë, sipas Kryeministrit, është edhe detyrimi që subjektet që kapen në shkelje të mbulojnë shpenzimet për prishjen dhe pastrimin e territorit.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›