E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Ndjekje penale për inspektorët që tolerojnë ndërtime pa leje

TIRANË, 3 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se inspektorët që tolerojnë ndërtimet pa leje në territor do të largohen menjëherë nga puna dhe do të ndiqen penalisht.

Në një konferencë për medie, Kryeministri Rama prezantoi sot masat për frenimin e ndërtimeve pa leje, ndërsa u ndal tek ashpërsimi i penaliteteve për trupën inspektuese.

Rama theksoi se çdo godinë dhe çdo leje ndërtimi për një godinë do të lidhet me persona përkatës dhe faji nuk do të jetë më anonim.

“U ndërtuan 5 kate në mes të Tiranës dhe faji është anonim. Çdo leje ndërtimi do të jetë e lidhur me persona dhe personat do të përgjigjen për çdo certifikim të rremë apo të pasaktë të punimeve në çdo fazë. Janë një sërë masash që e bëjnë mbylljen e syve fatale për atë që mbyll sytë”, tha Rama.

Po ashtu sipas tij, “ka një sërë gjobash nga Sekretariati Teknik i KKTU-së pranë autoriteteve të inspektimit në rast të konstatimit të shkeljeve të lejeve të ndërtimit”.

“Parashikohet përcaktimi i të paktën një inspektori si person përgjegjës që ka për detyrë të kontrollojë zbatimin e projektit gjatë gjithë procesit”, tha Rama.

Kryeministri paralajmëroi largim të menjëhershëm nga detyra dhe kallëzim penal për të gjithë inspektorët në rastet kur konstatohet mosvënie në dukje e shkeljeve.

“Nga kontrollet e bëra si rezultat i denoncimeve të qytetarëve te portali ‘Hapësira ime publike’ ka rezultuar se ndërkohë që në territor leja është shkelur rëndë, në bashki aktet e konstatimit të inspektorëve bashkiakë figurojnë në rregull. Për këtë lloj fenomeni në çdo rast që prodhohet mosveprim, apo më keq akoma mbyllje e syve, masa është largim i menjëhershëm nga detyra dhe ndjekje penale, si dhe ndalim për t’u kthyer në punë shteti për një periudhë të caktuar kohore”, shtoi Rama.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›