E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Ndërhyrje të huaja brutale për shumëfishimin e zemërimit të protestës

TIRANË, 24 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi sot se në protestën kundër investimit në Zvërnec kishte pa diskutim ndërhyrje të huaja brutale, manipulime të panumërta me lajme të rreme dhe video të deformuara dhe plot aktorë të vënë me qëllime nga më të ndryshmet në funksion të shumfishimit të zemërimit.

Në mbledhjen e përbashkët të grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar, Rama theksoi se nga ana tjetër pasqyra e “bulevardit të flamingove” tregoi një të vërtetë tronditëse që asnjë statistikë nuk e tregon, por që asnjë provë nuk e rrëzon.

“Ne lart kishim faktet, njerëzit poshtë kishin përjetimin. Fakti ynë ishte se investimi i Zvërnecit është tokë private, përjetimi i tyre ishte se toka e shtetit po i shitet të huajve. Fakti ynë ishte se projekti është ende sot që flasim në duart e një skuadre arkitektësh dhe inxhinierësh mjedisorë, gjeologë dhe hidrologë ndër më të mirë në botë. Përjetimi i tyre ishte se ndërtimi kishte nisur dhe projekti duhej anuluar”, tha Rama.

Faktet, sipas tij, “tregonin se ne kishim me vete të vërtetën, por përjetimi i tyre ishte se e vërteta ishte e gjitha në anën e tyre”.

Duke folur për ndërhyrjet e huaja në protestë, Rama tha se edhe këto janë fakte dhe ishin pjesë e rëndësishme e protestës.

“Ekspozimi dhe analiza e tyre janë të domosdoshme për ta kuptuar atë protestë në çdo dimension. Po asnjë prej këtyre dhe as të gjitha bashkë nuk ishin zemra e atij manifestimi spektakolar që Bulevardin në hendek, ne hendekun më të dukshëm të mundshëm mes fakteve tona dhe përjetimit të njerëzve”, shtoi ai.

Sipas Ramës, përgjigjja për themelin e atij hendeku nuk duhet kërkuar tek ato pjesët e bashkëngjitura të protestës, por duhet gjetur tek pritshmëritë e rritura të njerëzve dhe konflikti i tyre me përvojën e përditshme.

“Duam ne, s’duam ne, njerëzit presin çdo ditë dhe më shumë dhe bëhen gjithnjë dhe më pak tolerant, sidomos pastaj ndaj përvojave të tyre të hidhura me administratën, qe si mijëra e mijëra pika të mbledhura lart e poshtë e derdhën kupën e durimit të tyre në bulevard. Ai hendek nuk u hap për qëndruar ashtu, po për t’u mbyllur dhe mbyllja e tij nuk bëhet dot as duke bërë sikur ai u mbyll vetë”, vijoi Rama.

Rama tha se “për ta kuptuar deri në fund atë hendek duhet të harrohen faktet duhet të fokusohemi tek përjetimi i njerëzve”.

“Sepse kur midis faktit tonë dhe përjetimit të njeriut të zakonshëm hapet një hendek i atillë, atë e ka hapur rënia e besimit se pritshmëritë e tij do realizohen. Dhe kur besimi për këtë arsye ka rënë edhe fakti më kokëfortë duket si gënjeshtër dhe gënjeshtra më e madhe fillon duket si e vërtetë”, tha Rama.

Nga ana tjetër kryeministri theksoi se ajo protestë nuk mund të kuptohet pa renë e mbingarkuar të të dhënave dixhitale mbi bulevardin e flamingove, e cila mblodhi dhe lëshoi një pafundësi sinjalesh në të gjitha anët e globit. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›