E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Nuk mund të kemi drejtues të AMP-së që janë njëkohësisht ndërtues pa leje

TIRANË, 19 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama theksoi sot nevojën për adresimin si duhet të punës së Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ndërsa tërhoqi vëmendjen për shkeljet e kryera nga zyrtarë drejtues në këtë agjenci.

Kryeministri iu referua rastit të kreut të AMP-së Vlorë-Gjirokastër, Glodian Ahmetaj, i cili kishte ndërtuar pa leje në Ksamil.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore është një strukturë e re e ngritur për të mbikëqyrur Policinë e Shtetit, tërësisht e pavarur nga Policia e Shtetit dhe që duhet të shoqërohet në këtë proces dhe të udhëhiqet që të adresojë si duhet objektin e punës së vetë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “është e pamundur që të kemi drejtues të Agjencisë të Mbikëqyrjes Policore në territor që janë njëkohësisht ndërtues pa leje”.

“Mbrohet nën hijen e babait sikur e ka bërë ndërtimin babai, a thua se meqë është babai i drejtorit është i amnistuar nga krimi i ndërtimit pa leje. Drejtues falsifikatorë që përdorin babain për mbulesë duke deklaruar që ndërtimi është bërë në vitin 2018. A thua përsëri se ndërtimi i bërë në vitin 2018 pa leje justifikon shkeljen. Drejtues injorantë që nuk e kanë mësuar akoma se gënjeshtra i ka këmbët shumë të shkurtra, sepse mjafton një harto-foto për të parë se ndërtimi nuk është bërë në 2018. Si mund të pritet nga drejtues të këtij lloj niveli në raportin me ligjin, të mbikëqyrin policinë kur ky duhet mbikëqyrur nga drejtësia?!”, tha Rama.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›