Rama: Opozita jeton në univers paralel, Berisha non grata me vulë dhe me votë

TIRANË, 26 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, mblodhi sot në Pallatin e Brigadave deputetët e zgjedhur të Partisë Socialiste, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, si dhe kandidatët për deputetë, për të festuar fitoren.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë komentoi edhe akuzat e opozitës për “farsën elektorale të 11 majit”.
Rama hodhi poshtë aludimet për manipulime, duke theksuar se rezultati i zgjedhjeve është fryt i një pune të gjatë dhe të programuar që pas zgjedhjeve vendore. Sipas Ramës prej vitesh opozita është futur në një “luftë absurde me faktet dhe jeton në një univers paralel”.
“Të tjerët nuk duan ta pranojnë realitetin e fakteve e kjo i ka bërë ata humbës kronikë, ndërsa Shqipërinë e ka lënë pa një alternativë sfiduese të Partisë Socialiste. Ata janë futur prej vitesh në spiralen e një luftë absurde me faktet dhe jetojnë në një univers paralel, ku Shqipëria që përparon është thjesht propagandë, shumica e shqiptarëve janë të blerë ndërsa ndërkombëtarët janë pothuajse të gjithë të shitur, vendin e drejton krimi, ndërsa zhvillimin e financon droga, zgjedhjet i fitojnë ata gjithnjë e më thellë, ndërsa ne i vjedhim akoma edhe më shumë. Sa më i madh bëhet hendeku i votave mes tyre dhe nesh aq më madhështore bëhen përmasat e universit të tyre paralel”, tha Rama.
Rama shtoi më tej se “këto ditë universi i tyre paralel është mbushur me thasë resh të zeza që derdhin ngado shiun e votave të vjedhura, zarfe votash që mësyjnë nga katër anët si tufa zogjsh prej letre duke lëshuar vrik nga foletë e patronazhistëve, tani jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën, trena bullgar që përshkojnë malet dhe luginat e Shqipërisë për t’i zhbiruar fletët e votimit dhe shumëfishuar votat e regjimit, vargmale të mbjella me kanabis që lulëzojnë me bekimin e partisë shtet dhe me licencat imagjinare të shtetit parti, kuptohet një gram një vota. Dhjetëra deputetë dhe deputete të rinj dhe të reja këtu që kanë ndalë nga shpella të krimit, me mandate të grabitura përmes terrorit elektoral, të bazave më të rrezikshme të planetit tonë”.
Rama tha se akuzat e opozitës ishin të pritshme, duke shtuar se PS mori thjesht frytet e një pune këmbëngulëse.
“E vërteta është se ne nuk kemi asnjë zhgënjim këtu, avazi është i njëjti fiks, siç e kemi ditur siç e prisnim dhe siç e paralajmërova unë me precizonin e atij që tregon një film që e ka parë 10 herë. Ndërkohë ne morëm thjesht frytet e një punë të gjatë këmbëngulëse, nganjëherë dërrmuese, të programuar me një kalendar qysh pas fitores së zgjedhjeve vendore, të zbatuar hap pas hapi në çdo territor dhe në diasporë përmes një volumi të jashtëzakonshëm takimesh dhe kontaktesh njerëzore, të cilat sollën dallgën e 11 majit”, tha Rama.
Rama iu përgjigj edhe akuzave të drejtueses politike të Partisë Demokratike për Diasporën, Jozefina Topallit, e cila tha se në një kuti në “Berat u gjetën 90% të votave për PS-në”. Rama e lidhin rezultatin në kuti me regjistrimet e zgjedhësve, duke nënvizuar se PS ka bërë një punë të madhe në këtë proces.
“E rikthyer si një Doruntine në një version satirik të legjendës, mbi samarin e listës së mbyllur të mushkës gërrmuqe të partisë, Jozefina vajtonte një ditë pluralizmin me lotët rrëke me një grup zarfesh të ardhura nga Greqia drejt Beratit ku PS kishte marrë mbi 90 % të votave”, u shpreh Rama.
“Vdiq thoshte vdiq pluralizmi na e vranë, na e prenë pluralizmin”. Pra ne jemi vrasësit e pluralizmit meqë vajtoca Doruntinë dhe mbështetësit e saj të kënetave mediatike nuk e kanë haberin gjëkundi se si punohet me diasporën. Berati është në krye të skuadrave që kanë shkëlqyer me rezultate e përpjekjes së tyre të jashtëzakonshme për t’i mobilizuar shqiptarët jashtë vendit dhe ata të Greqi specifikisht për zgjedhjet 11 majit. Ne e nisëm kohë më parë krijuam një bord kombëtar të Diasporës dhe mblidheshim në 8 të mëngjesit çdo të hënë me zoom-e me 100 vetë ku ndiqnim bashki për bashki ngritjen e një rrjeti vullnetarësh të PS në gjithë Greqinë dhe përtej kudo ku shqiptarët janë, dhe kur ne bënim këto Jozefina ishte ende në humbëtirat e syrgjynin politik duke qëmtuar në filxhan fatin që në fund doli fati lumë si ai i rikthimit të Doruntinës. Janë 10% për ata, po 90% për ne, në një grup zarfesh që vijën nga një pikë e caktuar kjo varet nga sa zgjedhës janë regjistruar dhe kush i ka motivuar që të regjistrohen”, shpjegoi Rama.
“Të tjerët janë broçkulla ku bën pjesë edhe regjimi ynë kriminal. Ne kemi nisur punë për zgjedhjet e tjera apo ka rënë dielli i zgjedhjeve të kryera. Jemi në hajdutët pse madhështoreve u mungojnë gati 200 mijë vota nga 4 vite më parë ku nuk ishin madhështore, por ishin ku e ku më të organizuar dhe konkurrues sesa këtë herë që u ofruan shqiptareve për kryeministër një kufomë ambulante me kapelën e Donald Trump dhe u premtuan një magji të madhe si me atë lojën Fluturon Gomari dhe në fund gomari nuk fluturoi”, tha Rama.
Duke iu referuar Berishës, Rama tha se “duhet që të ndryshojë mendësia e të bërit politikë”.
“Sa kohë opozita do të jetë e kapur në kthetrat e një kryeplaku që s’ka lënë të zeza pa bërë ky vend s’do të ketë një opozitë sfiduese për ne por një kënetë zhgënjyese edhe për ndjekësit e saj që në 11 maj qëndruan edhe në shtëpi. Sepse ne votat tona i kemi marrë përsëri. Këto 200 mijë që mungojnë janë ata që qëndruan në shtëpi. Po të ishte Luli do t’i kishte rënë shkurt do të thoshte që kanë vdekur”, tha Rama.
“Kjo katandisje keq e më keq, e asaj që lindi si partia e rinisë shqiptare, për liri dhe demokraci e që sot është bërë uturaku i një 80 e ca vjeçari të pashpresë, non grata me vulë dhe non grata me votë, nuk është as zgjedhja jonë, dhe nuk është as problemi ynë për të zgjidhur. Na u desh muajt e fundit të merremi me atë uturak madhështor për arsyet e pashmangshme të ballafaqimit zgjedhor, gjë që personalisht dhe shumë sinqerisht, unë e bëra vetëm nga halli dhe aspak nga malli kur i thonë fjalës, por tani le t’i lëmë në llucën, ku llokoçiten prej 12 vjetësh dhe ku do vazhdojnë të llokoçiten, duke u zhytur poshtë e më poshtë dhe duke humbur fillin keq e më keq. Ne nuk duhet të humbasim energji dhe kohë me ta, përveç taksiratit të përballjes së pashmangshme me universin e tyre paralel brenda mureve të jetës parlamentare se aty nuk kemi çfarë bëjmë”, tha Rama. /j.p/