E Martë, 3 Nëntor 2026

PD kërkon rinumërim, Shehaj: Bërtasin për vjedhje, por duan të grabisin mandatin tonë

TIRANË, 26 maj /ATSH/ Partia Demokratike ka paralajmëruar se do të bëjë një kërkesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për rinumërimin e votave për qarkun e Tiranës, me shpresë fitimin e mandatit të Ilir Alimehmetit.

“Rezultati është mjaft i ngushte ne lidhje me mandatin e 14-të. Mandati është diskutim mes Partisë Demokratike Aleancës për Shqipërinë Madhështore dhe partisë së z. Agron Shehaj. Fletët e pavlefshme janë një opsion, nuk mund te anashkalohen, pasi janë rreth 17-18 mije fletë votimi te pavlefshme ne gjithë qarkun e Tiranës dhe patjetër qe duhet te jene pjese e shqyrtimit dhe vlerësimit ne gjykimin tonë“, u shpreh për mediet Franci Nuri, përfaqësues ligjor i PD.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj, i cili e quan këtë si një përpjekje të dëshpëruar nga partitë e vjetra që nuk duan të ndryshojnë. Shehaj tha se ajo që duan të bëjnë është një grabitje.

Sipas Shehajt, Partia Mundësia ka marrë dy mandate të padiskutueshme dhe askush nuk do të mund t’i rrëmbejë.

“Dy mandate. Dy votëbesime. Të ndershme. Të padiskutueshme. Dhe askush nuk do t’i rrëmbejë. Askush. Ajo që po përpiqen të bëjnë është një grabitje. Një tjetër përpjekje e dëshpëruar nga partitë e vjetra që nuk duan të ndryshojnë. Nuk mund të bërtasësh për farsë zgjedhore, dhe pastaj të vjedhësh një mandat në tavolinë. Kjo është hipokrizi. Dhe nuk do të ndodhë! E kemi thënë më parë dhe po e themi sërish: votat tuaja nuk preken. Çdo votë për Partinë Mundësia është një votë për ndryshimin, dhe nuk do të preket, nuk do të tjetërsohet, nuk do të vidhet”, shkruan Shehaj. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›