Rama: PS në qeveri për ta çuar Shqipërinë në Bashkimin Europian

TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se arsyeja pse Partia Socialiste është në qeveri, është për ta çuar Shqipërinë në Bashkimin Europian.
Në fjalën e tij gjatë takimit në Parkun Arkeologjik të Apolonisë në Fier me rastin e 35-vjetorit të krijimit të Partisë Socialiste, Rama tha se “nëse ne ndalemi, nëse ne ndalemi së ëndërruari, së ëndërruari fort, nëse ne ndalemi së pasuri ambicie të madhe, nëse ne ndalemi në bindjen që Shqipëria nuk ka asnjë arsye të ketë zili asnjë nga fqinjët, por është këtu e gjitha gati për t’u bërë një vend për të cilin të flasin të tërë dhe të tërë duan të vijnë, e tërë duan të banojnë këtu për pushime, ne nuk jemi më Partia Socialiste. Ne nuk kemi më arsye të jemi në qeveri”.
“Arsyeja pse ne jemi në qeveri, është ta çojmë Shqipërinë Bashkimin Europian. Po ta çojmë Shqipërinë në Bashkimin Europian, jo thjesht me këto rregulla dhe me këto. Po ta çojmë Shqipërinë Bashkimin Europian dhe Shqipëria ndërkohë të jetë një vend, shtet anëtar i Bashkimit Europian që t’i ketë standardet e larta, t’i ketë rrogat e larta, t’i ketë pensionet më të mira, t’i ketë spitalet më të mira, t’i ketë gjërat më të mira, pikërisht sepse do ketë këto zhvillime”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “Shqipëria duhet të bëhet një vend i universiteteve dhe do ta shikoni, po përgatitemi, po bëjmë marrëveshje dhe shumë shpejt, shumë shpejt do të sjellim edhe në Fier një universitet mjekësie, një universitet mjekësie të standarteve më të larta ndërkombëtare, ashtu siç do bëjmë në Vlorë një tjetër universitet dhe ashtu sikundër do bëjmë dhe në Tiranë dhe në Korçë. Dhe për të gjitha këto jemi duke punuar”.
“Këta thonë “Edi Rama merr helikopterin’’. Jo, more. Jo, jo. Kur unë marr helikopterin e marr vetëm se duhet të shkoj në të njëjtën ditë, në të njëjtën kohë nga këtu aty- aty dhe me atë helikopterin që vajta në Korçë, që pastaj vajtëm në Vlorë, që pastaj kaluam mbi Fier dhe pastaj shkuam në Tiranë, kishim grupin më të madh të universiteteve në rang botëror që do sjellin këto universitete dhe po punojmë për këtë”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë tha se “si do bëjmë ne pa të huajt, si do bëjmë? Dhe përpara se t’ju përcjell, dua t’i them të gjithë atyre të rinjve që dalin në bulevard, dua t’ia them të gjithëve këtë se nuk mbajnë mend ata: pishat e bulevardit, pishat e bulevardit, ato të vjetrat, disa rrepe në Lanë që janë të mëdhenj në trup dhe numërohen shumë kollaj dhe një pjesë, një pjesë e parkut të liqenit kanë qenë aty. Çdo pemë tjetër që ju shikoni në rrugët e Tiranës dhe që sot janë rritur dhe bëjnë hije në të gjitha rrugët kryesore, është mbjellë nga Edi Rama dhe Partia Socialiste e Shqipërisë”.
“Kështu që Partisë Socialiste dhe Edi Ramës mund t’i bëni leksione për shumë gjëra, por, për alergjinë ndaj shëmtisë, alergjinë ndaj pisllëkut, alergjinë ndaj rrëmujës, alergjinë ndaj shkatërrimit, alergjinë ndaj injorancës, nuk na bëni dot kurrë fajtor”, tha Rama.
/k.s/j.p/