Rama: Për PS-në e Vlorës nis një kapitull i ri, asnjë “parazit” s’mund të pretendojë asgjë nga ne

TIRANË, 7 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, tha sot nga Vlora se do të nisë një kapitull i ri për PS në këtë qark.
Kreu i qeverisë gjatë një inspektimi për lirimin e hapësirave publike në Vlorë, u shpreh se partia do të hapet totalisht për të sjellë prurje të reja, ndërsa shtoi se asnjë “parazit” nuk mund të pretendojë asgjë nga PS.
Rama bëri me dije gjithashtu se janë komanduar dy bashkëkryetarë të rinj, Klevis Kaso dhe Erjona Ismaili.
“Një kapitull i ri do të fillojë në PS-në e Vlorës ku janë komanduar dy bashkëkryetarë të rinj Erjona dhe Klevisi. Erjona është edhe deputete, ndërkohë që Klevisi është këtu në Vlorë për të mbajtur hapur në mënyrë të pandërprerë shtëpinë e Partisë Socialiste. Detyra e tyre është shumë e ngjashme me frymën dhe parimet që unë përmenda.
“Partia do të hapet totalisht për të sjellë prurje të reja dhe do të krijojë grupet qytetare që do t’i bashkohen pa pasur detyrimin që të bashkohen në PS, por për të krijuar hapësirat e dialogut për Vlorën. Këtu nuk ka të majtë dhe të djathtë, këtu ka “parazitë” dhe ka njerëz të përkushtuar dhe të gatshëm për t’i shërbyer Vlorës. “Parazitët” janë dhe të majtë, dhe të djathtë. Kështu që ne jemi këta të dytët, dhe prandaj jemi gjithmonë të parët. Asnjë “parazit” s’mund të pretendojë asgjë nga ne, se medemek është socialist dhe asnjë njeri i aftë, i dëshiruar dhe me ambicie, nuk mund të pengohet të bashkohet me ne se është i djathtë. Kaq e thjeshtë është qasja që kemi zgjedhur dhe që shpresoj se me këtë do të bëjmë gjëra të mira për Vlorën”, u shpreh Rama.
/m.q//r.e//a.f/