Rama: Për Zvërnecin nuk është kërkuar statusi i investitorit strategjik

TIRANË, 5 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministër, Edi Rama mori pjesë sot në aktivitetin për 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Vlorë.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se kur Partia Socialiste erdhi në qeveri, Vlora kishte gropa te Lungomarja dhe Rruga e Lumit ishte e mbytur nga lumi.
“Më tregojnë mua këta honxhobonxhot investimet strategjike dhe më thonë po prishet Shqipëria nga investimet strategjike. S’kishte investime strategjike Vlora kur ne erdhëm në detyrë, por kishte gropa në Lungomare. Më e bukura është se te Zvërneci s’kanë kërkuar fare statusin e investitorit strategjik”, tha Rama.
Sa i takon kërkesës tjetër të protestuesve për anulimin e Paketës së Maleve, Rama tha se, “ata që kanë trashëguar tokat, janë trashëgimtarë të tokave në veri, ka trashëgimtarë të tokave të thella të jugut dhe s’kanë pasur sherre për pronat. Nuk kanë hyrë në 7501. Ata e dinë, deri këtu ishte gjyshi im, deri atje gjyshi jot. Duke mos pasur letrat dhe të ardhurat apo edhe mundësitë, i kanë braktisur ato bukuri atje, duke u larguar edhe nga vendi sepse s’bëjnë dot asnjë investim. Dikur i bënin pa leje, tani s’i bëjnë dot pa leje. Duan të bëjnë një fermë, s’kanë subvencion, asgjë.
Çfarë bën Paketa e Maleve? I thotë, hajdeni te toka që është e gjyshit, që s’keni letra, zgjidhni planin e investimit, shkoni në këshillin bashkiak, afishoni emrin një muaj. Po erdhën të tjerë që të kërkojnë pronën që ju kërkoni, nuk e merrni dot. Po nuk pati kontestime, investoni. Dhe jo pallate, agroturizma, ferma, agrobujtina.
Krijoni ato realitete që i kanë krijuar ata që nuk janë më të mençur se ne atje ku jetoni, që nuk janë më të zotë se shqiptarët, por kanë qenë të udhëhequr, nga njerëz më të mençur se hajvanët që kemi pasur ne në krye. S’keni pse të punoni për të tjerët andej. Anulojeni, thonë. Shyqyr Zotit, kanë pesë kushte. Kushti i parë është dorëheqja, pra ik ti, pastaj të tjerat, pra janë pa logjikë, janë dërrasë fare”, tha Rama.
“Duhet t’i marrësh me të mirë më thonë, por si t’i marrë me të mirë, kur ne po na ikën tepeleku i kokës, ku kemi lloj-lloj honxhobonxhosh që ikin pas berihasë. Shikojnë gardhin atje, që pika që s’u bie atyre që e vendosën atë gardh atje në Zvërnec, ku e morën foton dhe me IA e vendosin sikur të ishte kufiri me Izraelin, duke shkuar pas berihasë se do vijnë palestinezët. Dhe ne t’i marrim me të mirë këta”, tha Rama.
“Ne nuk kemi kohë të merremi me këta. Ne deri në fund të 2027 do të mbyllim negociatat me BE-në. Brenda 2030 duhet të hyjmë në BE. Kemi bërë sa kemi mundur për Vlorën dhe Shqipërinë. Tani koha që vjen para është shumë më e madhe që të kemi çfarë të shpërndajmë më shumë. Jo si duam të huajt ne, por me çfarë do t’i thithim investimet? Apo duke i fryrë njëri-tjetrit? Janë komplet tullë”, vijoi Rama.
“Ndërsa ata që kanë merakun e mjedisit dhe ata që janë të mjegullt për atë që do të ndodhë, ata i respektoj deri në një farë kohe. Nëse ta thonë 3-4 herë, apo pesë herë, që për Zvërnecin është krijuar skuadra me inxhinierët më të mirë të botës, arkitektët më të mirë të botës, dhe ti vazhdon me ‘anulo projektin’, dhe të thuhet: shiko se s’ka ardhur projekti, se çfarë kanë ardhur i kemi thënë jo, se duhet kjo dhe ajo. Tregoju edhe kompaninë, superfuqi në Lindjen e Mesme, që bën investime në të gjithë botën. Në momentin që bëhet ai investim në Zvërnec, unë nuk e ekzagjeroj fare, Vlora bëhet pika ku s’ke më nevojë të kuturisësh e të ikësh shumë larg. Vjen në Vlorë, në mes të Europës, dhe je sikur je në një botë tjetër. Vjen në Vlorë, në mes të Europës, ke flamingot, ke gjithçka, ashtu siç janë në ato resorte që shqiptarët i shohin me dylbi”, u shpreh Kryeministri.
/a.f/r.e/