E Diel, 1 Nëntor 2026

TIVAT – Mesazh i Merz dhe Macron për Ballkanin Perëndimor: Ne ju duam në BE

BERLIN/TIVAT, 5 qershor /ATSH-DPA-ANSA/ – Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron kanë bërë thirrje për një përshpejtim të procesit të zgjerimit të Bashkimi Evropian gjatë Samitit BE–Ballkani Perëndimor që u zhvillua në Tivat.

“Nëse Bashkimi Evropian dëshiron të mbetet i besueshëm, duhet të tregojë se është i aftë dhe i gatshëm të zgjerohet”, deklaroi Merz në  takim, ku morën pjesë 23 liderë të vendeve anëtare të BE-së dhe gjashtë liderë nga vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë anëtarësimin.

“Ne dëshirojmë që vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen sa më shpejt anëtare të BE-së dhe do të nisim një proces gradual drejt këtij objektivi”, shtoi Merz

Presidenti Macron theksoi rëndësinë strategjike të rajonit për Evropën, duke nënvizuar se Ballkani Perëndimor luan rol kyç në çështjet e energjisë, sigurisë dhe menaxhimit të rrugëve të migracionit.

“Mesazhi i qartë i sotëm është dhe do të mbetet; ne ju duam në Bashkimin Evropian, u shprehën Merz e Macron.

“Anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian si shteti i 28-të anëtar në vitin 2028 është një objektiv i arritshëm. Ne e inkurajojmë Malin e Zi të vazhdojë me ritëm të lartë zbatimin e reformave”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë konferencës për shtyp pas samitit.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Përmes investimeve, integrimit ekonomik dhe bashkëpunimit më të ngushtë, po e afrojmë rajonin me BE-në dhe po ndërtojmë së bashku një Evropë më të fortë”, theksoi von der Leyen.

Propozimi franko-gjerman

Merz dhe Macron paraqitën një propozim të përbashkët që synon t’i afrojë më shpejt vendet kandidate me BE-në.

Sipas planit:

Vendet që përmbushin kriteret e anëtarësimit do të kenë qasje graduale në tregun e përbashkët evropian.

Mund të dërgohen vëzhgues në institucionet e BE-së përpara anëtarësimit të plotë.

Procesi i negociatave do të thjeshtohet ndjeshëm.

Aktualisht, procesi i anëtarësimit kërkon më shumë se 100 hapa proceduralë dhe hapja e secilit prej mbi 30 kapitujve negociues duhet të miratohet unanimisht nga të gjitha vendet anëtare.

Sipas propozimit franko-gjerman, të gjithë kapitujt përkatës do të hapeshin menjëherë pasi Komisioni Evropian të vlerësonte se vendi kandidat është gati.

“Prej 13 vitesh nuk është anëtarësuar asnjë vend i ri në BE. Kjo tregon se problemet nuk janë vetëm te vendet kandidate, por edhe te vetë Bashkimi Evropian,” tha Merz.

Edhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç u shpreh optimist pas takimit.

“Pas këtij samiti kemi edhe më shumë besim se anëtarësimi i Malit të Zi në BE në vitin 2028 është një objektiv plotësisht i realizueshëm. Natyrisht, puna ende nuk ka përfunduar”, u shpreh ai.

Mali i Zi mbetet vendi më i avancuar në procesin e anëtarësimit në BE dhe aktualisht konsiderohet kandidati më pranë anëtarësimit të plotë ndër vendet e Ballkanit Perëndimor. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›