E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Po ndërtohen dy parkime publike në Vlorë, paketë e re ligjore për ujin e pijshëm

TIRANË, 7 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me përfaqësuesit vendorë të bashkisë së Vlorës si dhe deputetë të qarkut. Kreu i qeverisë u ndal te problematikat që janë hasur në qytet, ku ndër to nënvizoi problemin me parkimet dhe ujin e pijshëm.

Kreu i qeverisë tha se “kemi filluar punën për dy parkime të mëdha publike nëntokësore dhe do të vazhdojmë edhe më tutje me të tjera investime në këtë drejtim”.

Rama tha po ashtu se Policia Rrugore do të jetë e ashpër me parkimet vend e pa vend në qytet.

“Por nga ana tjetër kjo gjë nuk justifikon parkimin në vend e pa vend, kjo nuk justifikon abuzimin e drejtuesve të automjeteve me këmbësorët dhe për të këtë arsye Policia Rrugore në Vlorë do të jetë shumë e ashpër me parkimet e pavendta apo me parkimet që bllokojnë qarkullimin ose që pengojnë qarkullimin në rrugët e Vlorës”, tha Rama.

Sa i takon problemit me ujin e pijshëm, kreu i qeverisë theksoi se vjen nga keqmenaxhimi i ujësjellësit të Vlorës si dhe nga abuzimi i qytetarëve. Rama tha se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po përgatit një paketë të re ligjore e cila synon të adresojë në kompleks problemin e përmirësimit të furnizimit me ujë të pijshëm, sidomos në zonat turistike.

“Problemi tjetër, i cili mesa më rezulton është adresuar, është problemi i ujit të pijshëm, për shkak të ngarkesës që ka qyteti në këtë periudhë dhe për shkak të investimeve që duhet të vazhdojnë. Ama, çfarë kemi konstatuar, e para, është një keqmenaxhim vitet e fundit i ujësjellësit të Vlorës. Kjo, e kombinuar me një abuzim të madh me ujin e pijshëm nga konsumatorë që e përdorin ujin e pijshëm për të ujitur bahçet apo larë makinat. Për këtë arsye Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë po përgatit një paketë të re ligjore sa i përket ujit të pijshëm më të cilën shpresoj, uroj dhe besoj do të pagëzojmë mandatin e katërt që do të adresojë në kompleks problemin e përmirësimit të mëtejshëm të furnizimit me ujë të pijshëm, sidomos në zonat turistike”, tha Rama.

/m.q//a.f//r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›