E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Po ngremë ekonomi që rrit mundësitë për paga e pensione më të mira

TIRANË, 1 prill/ATSH Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së në njësinë 4 në kryeqytet, e vuri theksin tek rritja e pagave që po ndodh jo vetëm në sektorin publik, por edhe atë privat, si dhe tek procesi i pandalshëm i rritjes së pensioneve.

Rama tha se gjithmonë e kanë ditur që duhen rritur pagat, pensionet por nuk ka ekzistuar mundësia.

“Pse s’e kemi pasur mundësinë? Sepse ekonomia nuk na e ka lejuar. Tani kjo po ndodh dhe kjo po ndodh, jo vetëm në sektorin publik, por po ndodh dhe në sektorin privat, ku pagat po rriten në mënyrë të ndjeshme dhe ku në shumë, pjesë të frontit të sipërmarrjes private, nuk është më fare pyetja që “sa do të paguaj”, por është pyetja “ku do ta gjej atë që më duhet për këtë punë””, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se edhe me pensionet ka filluar proces të pandalshëm rritjeje që do të sjellë çdo fillim viti, dyfishimin e rritjes.

“Pra, nëse në janar të këtij viti pensioni iu rrit X, në janar të vitit tjetër X-i do të jetë dyfish; në janarin e 2028-s X-i do të jetë trefish; në janarin e 2029-s X-i do të jetë katërfish dhe do të arrijmë në ato nivele që kemi marrë përsipër të arrijmë edhe me pensionistët”, tha Rama.

Kryeministri Rama vuri në dukje se po ngrihet ekonomi që po rrit mundësitë dhe inkurajuese është që rritja vazhdon të jetë e qëndrueshme.

“Të shpresojmë që nuk do të goditet rritja nga gjithë ky kontekst ndërkombëtar, por sepse të gjitha janë të lidhura, janë të varura. Tani e kanë mësuar të gjithë, se deri dje thoshin: po ç’ punë kemi ne me luftën në Ukrainë? Ne këtu kemi shiun, kemi ujin, kemi lumenjtë, ne kemi vetë energjinë, që s’është e vërtetë, sepse ne nuk jemi sovranë”, vijoi Rama.

Sipas Kryeministrit, vendi do të bëhet sovran në energjetikë brenda këtij mandati qeverisës.

“Pse do të bëhemi sovranë? Sepse po rrisim shumë kapacitetet me energji diellore. Tani po shtojmë edhe kapacitetet me energjinë e erës dhe të gjitha bashkë do të kemi një portofol që do të na garantojë të kompensojmë ato që na duhet t’i kompensojmë kur nuk kemi kapacitet të prodhojmë sa duhet energji nga uji për shkak të thatësirave, hidrocentraleve, etj,dhe në ndërkohë kemi filluar edhe projektet e baterive”, nënvizoi Rama duke shtuar se energjia diellore ka një kufi, panelet prodhojnë kur ka diell, pastaj kur errësohet, panelet nuk prodhojnë më”, theksoi ai.

Ndërkohë që, shtoi Rama, kur kemi kapacitet prodhues të madh, për shkak se kemi edhe rezervën hidrike të plotë, atëherë një pjesë të energjisë diellore mund ta rezervojmë për kur na duhet përmes baterive, pra ta kalojmë tek bateritë dhe këtë po e bëjmë, pra është një ekonomi që po zhvillohet.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›