E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Shqipëria, rekord shpejtësie në hapjen e kapitujve të negociatave me BE

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim me asamblenë e Partisë Socialiste, në Njësinë 4 në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se ecuria e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian është një tjetër tregues i arritjeve të vendit.

Rama theksoi se Shqipëria mban rekordin e hapjes së gjithë kapitujve me BE-në për nga shpejtësia, teksa e krahasoi me vendet e tjera që kanë kaluar në të njëjtin proces.

“E vërtetë është që në krahasim me të gjitha vendet që kanë kryer procesin e negociatave nga fillimi deri në këtë fazë të procesit, ne kemi rekordin e hapjes së të gjithë kapitujve për nga shpejtësia”, tha Rama.

Në vijim, ai nënvizoi se progresi i arritur është rezultat i një kombinimi faktorësh, përfshirë edhe vlerësimin pozitiv nga partnerët evropianë.

“Natyrisht që, janë përputhur disa gjëra, është përputhur edhe gatishmëria e anës tjetër, pra e Bashkimit Europian, për të na e njohur meritën dhe për të na e dhënë notën që meritojmë në bazë të detyrave të shtëpisë”, tha Rama.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›