Rama: Politika e pagave i takon ekzekutivit, epërsia për SPAK dhe GJKKO për shkak të funksionit

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj deklaratës së Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, lidhur me shqetësimin e ngritur prej tij mbi kërkesën për rritjen e pagave të gjyqtarëve.
Në një komunikim përmes rrjeteve sociale, Rama u shpreh se është e papranueshme që gjyqtarët të kenë në mënyrë të pakufizuar epërsi mbi pjesën tjetër të shoqërisë shqiptare dhe mbi piramidën e pagave të shtetit, duke theksuar se një praktikë e tillë nuk aplikohet në asnjë vend të botës.
Kryeministri theksoi se kjo epërsi i është njohur Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë Speciale për shkak të funksionit që ushtrojnë, duke nënvizuar se këto struktura kanë karakter të përkohshëm dhe një mision të përcaktuar si strategjik për transformimin e shtetit shqiptar.
“Ata persona ndodhen shpesh në situata sakrifice, presioni dhe rreziku për jetën, për shkak të përballjes me grupe kriminale”, u shpreh Rama. Sipas tij, Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi kanë ushtruar diskrecionin e tyre kushtetues në përcaktimin e formulës së pagave, kompetencë e cila, sipas Ramës, është njohur edhe nga Gjykata Kushtetuese.
Rama shtoi se Gjykata Kushtetuese nuk duhet të marrë në konsideratë kërkesa për rritje pagash, pasi pagat nuk rriten përmes vendimeve gjyqësore.
“Ajo që kërkohet të imponohet është ndërhyrja në politikën e pagave të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Kryeministri, duke shtuar se ndërhyrje të tilla, përfshirë politikat fiskale, janë kompetencë ekskluzive e pushtetit ekzekutiv dhe Kuvendit.
/gj.m/r.e/a.f/