SHBA – Bill dhe Hillary Clinton do të dëshmojë në Kongres për çështjen Epstein në fund të shkurtit

UASHINGTON, 4 shkurt /ATSH-DPA/ – Ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, dhe bashkëshortja e tij, ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, pritet të dëshmojnë para Kongresit amerikan në fund të këtij muaji, në kuadër të një hetimi të udhëhequr nga republikanët lidhur me Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale.
James Comer, kryetari republikan i Komisionit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se të dy kanë rënë dakord të paraqiten për pyetje, të cilat do të transkriptohen dhe filmohen.
Hillary Clinton është planifikuar të dëshmojë më 26 shkurt, ndërsa bashkëshorti i saj më 27 shkurt, të dy nën betim.
Sipas medieve amerikane, pranimi i Clintonëve për të dëshmuar i shtyu republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve të anulojnë një votim të planifikuar për një masë “përçmimi ndaj Kongresit” ndaj tyre.
Kjo masë ishte shtyrë përpara pasi Clintonët kishin refuzuar për muaj të tërë të bashkëpunonin me hetimin parlamentar mbi aktivitetet e Epstein, duke argumentuar se hetimi ishte i motivuar politikisht.
Comer tha se anëtarët e komisionit nga të dyja partitë kanë theksuar se askush nuk është mbi ligjin, përfshirë edhe çiftin Clinton.
Ai kritikoi ata për, sipas tij, sfidimin e përsëritur të thirrjeve zyrtare për dëshmi dhe për pranimin për të dëshmuar vetëm përballë mundësisë së procedurave për përçmim ndaj Kongresit.
Emri dhe imazhe të Bill Clinton shfaqen në dokumentet e hetimit për Epstein, megjithëse ish-presidenti ka mohuar vazhdimisht çdo sjellje të pahijshme të lidhur me njohjen e tij me Epstein.
Jeffrey Epstein, një multimilioner, drejtoi për vite me radhë një rrjet trafikimi seksual, duke shfrytëzuar dhjetëra gra të reja dhe të mitura.
Ai vdiq në burg në vitin 2019, në moshën 66-vjeçare, ndërsa priste gjyqin për akuza federale për trafikim seksual./ /Ad.Ab./ a.jor.