E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Primaret e PD-së, fyerja më e madhe që mund t’i bëhet një komuniteti politik

TIRANË, 21 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot nga Kavaja se primaret e Partisë Demokratike rezultuan në fyerjen më të madhe që mund t’i bëhet një komuniteti politik.

Në një takim me të rinjtë në Spille, Kavajë, Rama solli në vëmendje momentin kur PS për herë të parë mori besimin e qytetarëve të Kavajës dhe e nxori nga një gropë e madhe ku e kishte lënë një forcë që lindi si forca e shpresës dhe që prej shumë vitesh tanimë është bërë forca e së shkuarës.

“Kjo forcë përfaqësohet nga një individ 80 e kusur vjeç, që sot për fat të keq sa herë flet i fiket llampa dhe ngaterrohet me ato që thotë, rromapërtoma, dhe kërkon votën”, tha Rama.

Duke folur për primaret në PD, Rama theksoi se Kavaja mbahej për një kohë shumë të gjatë si bastioni i PD-së, por  ka ndodhur diçka që demokratët e Kavajës nuk duhet ta falin.

“Nuk duhet ta falin jo për ne, por për dinjitetin e tyre. Jo për Europën, BE-në, Shqipërinë 2030, që në fakt janë më të rëndësishmet, por për respekt ndaj vetes së tyre se dolën dhe votuan për të pasur kandidat Kavaja nga ana e tyre njeriun që donin ata, kandidati i Kavajës doli i pari në primaret e famshme të Tiranës dhe nuk është gjëkundi. E ka ngrënë bufi. J’ua hëngri përfaqësuesin, është në barkun e bufit Hyseni”, tha Rama.

Kjo, sipas tij, është fyerja më e madhe që mund t’i bëhet një komuniteti politik.

“Ndërkohë që ata Kavajën e kanë lënë pa përfaqësim fare. E kanë lënë pa njeri. Dëgjoj që vjen vërdallë njëri me parti tjetër me histori kënetash. Mos i dëgjoni. Ne i kemi sjellë Kavajës dy deputete dhe kryeministrin e ditëve më të vështira të Kosovës, i cili e ka nisur politikën si njëri nga ju”, tha Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›