E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Pritshmëritë karburant për ta ngjitur Shqipërinë më lart, shoqëria është bërë më kërkuese jo më negative

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ka bërë përparime të mëdha në shëndetësi, furnizimin me ujë, transportin publik dhe menaxhimin e mbetjeve, ndërsa theksoi se rritja e pritshmërive të qytetarëve është tregues i zhvillimit të vendit dhe jo i shtimit të negativitetit në shoqëri.

Në fjalën e mbajtur në eventin “Rilindja 2.0 me energji të re, ide të reja dhe një ambicie edhe më të madhe për Shqipërinë 2030”, Rama rikujtoi gjendjen e spitaleve vite më parë, duke thënë se pacientët detyroheshin të shkonin me batanije, jastëkë dhe pajisje personale, ndërsa mjekët punonin në kushte shumë të vështira.

Sipas tij, sot infrastruktura spitalore dhe kushtet e punës së personelit shëndetësor janë përmirësuar ndjeshëm, por qytetarët kërkojnë standarde më të larta, si respektimin e dinjitetit dhe uljen e kohës së pritjes.

“Në spitale nuk kishte ilaçe, vinin në spitalin “Nënë Tereza” me batanije me vete, me jastëk me vete, me çdo gjë me vete, kishte vetëm mjek që punonin me heroizëm, asgjë tjetër. Futeshe në spitalin “Nënë Tereza” nuk kuptohej se ku ishe, a ishe në spital, a ishe në një stacion treni, a ishte te gabi. Të gjitha ishin bashkë. Në korridoret e spitaleve njerëzit lëviznin me biçikletë. Mjekët nuk kishin as përparëse. Kjo ishte situate.  Sot nuk ka rëndësi fare që spitalet, janë spitale, që mjekët infermierët janë të veshur, të trajtuar, të paguar. Kërkohet dinjiteti i çdokujt të respektohet sikundër çdo kush e pretendon me të drejtë. Kërkohet shkurtimi i kohës së pritjes. Për ne që dimë se nga ka nisur kjo punë, është stresuese por është çmimi i rezultatit, i suksesit, fatura”, tha ai.

Kryeministri u ndal edhe te furnizimi me ujë të pijshëm, duke theksuar se sot Shqipëria furnizon popullsinë me ujë më shumë se në çdo periudhë tjetër të historisë së saj.

“Flitet për ujë sot me fakte, me shifra, me fatura, me të dhëna. Shqipëria furnizon popullsinë e vet me ujë të pijshëm më shumë se ndonjëherë në historinë e saj përfshirë dhe periudhën kur ishte një parti shumë serioze në pushtet. Nuk jemi kudo rregullisht 24 orë në gjithë territorin, sepse nuk është akoma e gjitha ashtu siç njerëzit duan. Mjafton një rubinet që fishkëllen dhe nuk nxjerr ujë një video bëhet virale dhe duket sikur gjithë Shqipëria është pa ujë”, tha Rama.

Rama përmendi gjithashtu ndryshimet në transportin publik dhe menaxhimin e mbetjeve, duke thënë se dikur sfida ishte mbledhja e mbetjeve dhe zëvendësimi i furgonëve, ndërsa sot debati është për cilësinë e shërbimeve dhe përpunimin e mbetjeve.

“Dikur mjaftonte një park, një lulishte, ne qendër të qytetit dhe njerëzit të shikonin sikur kishe sjellë material nga hëna sot e kërkojnë lulishten në çdo pikë ku jetojnë. Transporti publik. Dikur përpara rilindjes urbane furgonat ishin normaliteti, lufta për të hequr furgonat ishte si një luftë për të luftuar kovidin me grushte. Sot as nuk bëhet fjalë që ne të pretendojmë se njerëzit të jenë të kënaqur me transportin publik pavarësisht se ka linja. Çështja e mbetjeve, dikur nuk ishte problem se si përpunohen mbetjet, por kush do t’i mbledhë. Sot shqetësimi është si përpunohen mbetjet”, tha ai.

Në vijim të fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se shoqëria shqiptare nuk është bërë më negative, por më kërkuese. Ai theksoi se standardi që qeveria i ka vendosur vetes është Evropa dhe se pritshmëritë e qytetarëve duhet të shërbejnë si shtysë për të çuar vendin përpara.

“Kush mendon se shoqëria është bërë me negative nuk duhet të merret me politikë. Me punë që janë funksion publik, shërbim publik sepse nuk e përballon dot atë që e percepton si negativitet. Shoqëria është bërë më kërkuese, jo më negative. Sesi e shpreh shoqëria kërkesën është një tjetër temë. Kjo nuk është një çështje shërbimesh, por ekzistenciale e shoqërisë demokratike.

Ne kemi çelur një horizont komplet të ri. Horizonti mbetet horizont, por standardin e kemi vendosur vet, është Evropa dhe duhet të përputhim Evropën me çdo gjë që secili në këtë vend sheh. Nëse ka një këshilltar të keq më i keqi i mundshëm përballë pritshmërive është t’i kesh frikë apo t’i konsiderosh irracionalë. Pritshmëritë janë karburant, varet se kush do ta marrë karburantin ta përdorë. A do të përdorë për të ngjitur Shqipërinë më lart, gjë që duhet dhe do ta bëjmë vetëm ne. Nuk ka Shqipëri më lart me receta që dëgjohen vërdallë. Çdo recetë që dëgjohet vërdallë është për një Shqipëri me kokën poshtë, apo do të jetë një karburant që do ta çojë Shqipërinë me kokën lart”, tha Rama.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›