E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Protesta e qytetarëve dhe “mbetjet socio-politike” janë dy gjëra të ndryshme, do e kthejmë zemërimin e qytetarëve në energji për Shqipërinë 2030

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook lidhur me protestat e qytetarëve që po zhvillohen prej disa ditësh në vend. Në reagimin e tij, Rama thekson se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, pavarësisht, siç u shpreh ai, “kush i drejton, manipulon, përdor dhe abuzon me hallet e tyre”.

Në vijim të postimit, Rama bën një ndarje mes protestës qytetare dhe atyre që i cilëson si elementë politikë që, sipas tij, keqpërdorin pakënaqësitë publike. “Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë pavarësisht se kush i drejton, manipulon, përdor dhe abuzon me hallet e tyre. Korja e mbetjeve të rrezikshme socio-politike të bulevardit dhe uji i rrjedhshëm i protestës së qytetarëve që kërkojnë të dëgjohen, janë dy gjëra krejt të ndryshme”, shkruan ai.

Rama shton se shqetësimet e qytetarëve duhet të dëgjohen dhe të shërbejnë si bazë për reflektim dhe përmirësim të politikave qeverisëse.

“Ai ujë që buron nga halle, shqetësime, probleme reale të jetës së çdo protestuesi apo simpatizanti të protestës, duhet kthyer dhe do ta kthejmë në energji për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, thekson Rama, duke shtuar se qeveria do të analizojë mesazhet e protestës “me vëmendje dhe përulësi”. Megjithatë, ai kritikon ashpër një pjesë të protestuesve dhe organizatorëve, të cilët i cilëson si “dështakë të zemëruar” dhe “personazhe që japin mend që s’i kanë”. Rama shprehet se nga kjo situatë, shumica qeverisëse do të dalë, sipas tij, më e fortë dhe më e afërt me qytetarët.

“Korja e shpifur që ka bërë bashkë plot dështakë të zemëruar të Shqipërisë… duhet parë e treguar pa asnjë ngurrim mu siç është: shembëlltyra më e zezë e alternativave politike të këtyre 35 vjetëve. Protestuesit do të fitojnë bashkë me Shqipërinë, ndërsa shembëlltyra e zezë që i keqpërdori do të dështojë e do të thërmohet në çika”, thekson Rama.

Postimi i plotë:

QYTETARËT kanë të drejtë të protestojnë pavarësisht se kush i drejton, manipulon, përdor dhe abuzon me hallet e tyre. Korja e mbetjeve të rrezikshme socio-politike të bulevardit dhe uji i rrjedhshëm i protestës së qytetarëve që kërkojnë të dëgjohen, janë dy gjëra krejt të ndryshme.

Ai ujë që buron nga halle, shqetësime, probleme reale të jetës së çdo protestuesi apo simpatizanti të protestës, duhet kthyer dhe do ta kthejmë në energji për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, duke ndarë me ta reflektimin tonë nga kjo protestë, sapo ta kemi lexuar me vëmendje e përulësi krejt mesazhin e zemërimit të tyre të sinqertë. Ndërsa korja e shpifur që ka bërë bashkë plot dështakë të zemëruar të Shqipërisë, turlilloj personazhesh që japin mend që s’i kanë dhe shfryjnë dufe e mllefe për të cilat s’ua ka fajin askush veç vetes, duhet parë e treguar pa asnjë ngurrim mu siç është: Shembëlltyra më e zezë e alternativave politike të këtyre 35 vjetëve.

Por e mira më e madhe e kësaj proteste, për të cilën do të bëhen pishman edhe armiqtë e dashakeqët e Shqipërisë që qëndrojnë pas cunamit të baltës digjitale, është se në fund nga e gjithë kjo vorbull shumica qeverisëse do të dalë me vullnetin e ripërtërirë për të qenë shumë më afër me popullin. Dhe protestuesit do të fitojnë bashkë me Shqipërinë, ndërsa shembëlltyra e zezë që i keqpërdori do të dështojë e do të thërmohet në çika…

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›