E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Qeverisja dhe transformimi digjital i Shqipërisë, pjesë e dialogut global mbi të ardhmen

TIRANË, 25 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndodhet në Gjermani ku mori pjesë në “Berlin Global Dialogue”, forumi ndërkombëtar i nivelit të lartë që zhvillohet çdo vit në kryeqytetin e Gjermanisë.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale fotoalbumin nga punimet e këtij Forumi, ku foli mbi rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian, qeverisjen dhe transformimin digjital.

“Takime, ide, diskutime dhe intervista mbi rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian, qeverisjen dhe transformimin digjital, si pjesë e një dialogu global mbi të ardhmen e ekonomive, institucioneve dhe demokracive në kohë ndryshimesh të mëdha”, u shpreh Rama.

Kryeministri ishte pjesë e “Berlin Global Dialogue”, event që bashkon liderë ndërkombëtarë nga politika, biznesi dhe akademia me misionin për të nxitur dhe promovuar dialogun në fushat kryesore që formësojnë të ardhmen e ekonomisë globale.

Po ashtu, Rama ishte sot i ftuar në tryezën e dialogut përballë moderatorit të njohur Ali Asllan, së bashku me Ministren e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, Diellën, e cila iu përgjigj për herë të parë live pyetjeve të moderatorit.

Ky forum ka në fokus sfidat globale të ekonomisë, klimës, teknologjisë dhe qeverisjes.

Berlin Global Dialogue (BGD) – forumi ndërkombëtar i nivelit të lartë zhvillohet çdo vit në kryeqytetin e Gjermanisë, me fokus sfidat globale të ekonomisë, klimës, teknologjisë dhe qeverisjes.

Dialogu Global i Berlinit bashkon liderë ndërkombëtarë nga biznesi, politika dhe akademia për të formësuar ekonominë globale në shekullin e njëzet e një.

/m.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›