Rama: Rritja e pensioneve plan me hapa, nisim nga fundi i këtij viti

TIRANË, 21 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se plani për rritjen e pensioneve do të bëhet me hapa dhe do të fillojë që në fund të këtij viti për të vazhduar çdo vit duke rritur ambicien dhe duke ngjitur shkallët.
Gjatë një bashkëbisedimi me pensionistët për skemën e pensioneve, Rama siguroi pensionistët se nuk ka pasur dhe nuk ka një forcë tjetër politike dhe një qeveri tjetër që mund të bëjë për ta maksimumin e mundshëm.
“Të jeni të bindur që kjo puna e pensioneve është një gozhdë në kokën time dhe është një gozhdë në tryezën e qeverisë që nga dita 1 kur unë jam ulur aty. Duke filluar nga fundi i vitit ne do të përgatitemi që këto fjalë të marrin kuptim dhe kur flasim për Shqipërinë 2030 që duan apo nuk duan, ne do ta çojmë në Bashkimin Europian. Por ne nuk mundet ta çojmë në BE dhe të vazhdojmë të bëjmë po këto muhabete”, tha Rama.
Kryeministri siguroi se çështjes së pensionistëve do t’u jepet një kthesë shumë e fortë.
“Pra do t’i japim gjatë këtyre viteve një kthesë shumë të fortë çështjes së pensionistëve duke e mobilizuar shoqërinë me hir apo pahir, me forcën e ligjit, e duke bërë që çdo kush që fiton para këtu në Republikën e Shqipërisë, atë pjesën që i takon pensionistëve të mos guxojë ta prekë. Se aty fillon i gjithë problemi”, tha Rama.
Ai sqaroi po ashtu se pagat më të larta do të thonë më tepër kontribute për sigurimet shoqërore.
“Ju duhet të dini një gjë miqtë e mi, më të shtrenjtët jeni, se po i afrohem edhe unë kohës kur do të ulem në atë anë. Duhet të dini një gjë, që çdo pagë që rritet duhet t’ju gëzojë. Kur shikoni që u rrit paga dhe që shkoi 900 euro mesatarja në administratë, juve duhet të gëzoheni. Pse? Sepse nga ato paga rritet kontributi për sigurimet shoqërore”, tha Rama.
Kryeministri siguroi se kur ekonomia ka një rritje ekstra, pensionistët do të jenë përfituesit e parë.
“Do të flasim gjatë gjithë këtij muaji me të gjithë pensionistët në të gjithë Shqipërinë, t’i shpjegojmë gjërat mirë, që të gjithë ta kuptojnë që ky është një plan dhe ky plan do të bëhet me hapa dhe do të fillojë që në fund të këtij viti dhe do të vazhdojë çdo vit duke rritur ambicien dhe duke ngjitur shkallët”, theksoi Rama. /j.p/