Rama: SPAK nuk është opozitë e qeverisë

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) nuk është opozita e qeverisë, por është një institucion i ri i krijuar falë vullnetit të kësaj force qeverisëse.
Në konferencën tradicionale të fundvitit me gazetarët, Rama u shpreh se SPAK është mbështetur nga kjo forcë qeverisëse dhe është i garantuar nga kjo forcë qeverisëse.
“Të tjerët janë betuar e stërbetuar se do ta shkrijnë, por nuk e shkrijnë dot se votat i kemi ne. SPAK është një institucion që bën punën e vet si të gjitha institucionet e tjera. Kështu që nuk është opozita e qeverisë”, tha Rama.
Por, sipas tij, “depresioni i thellë në të cilën ndodhet opozita politike e qeverisë bën që puna e SPAK të jetë e vetmja pikë referimi e opozitës depresive për të goditur qeverinë”.
“Natyrisht 700 tenxheret politike dhe mediatike, produktin e gjithë këtij procesi e marrin dhe e ziejnë dhe e gatuajnë 700 lloj gjellërash të ndryshme duke bërë diçka që nuk ndodh në Shqipëri për herë të parë. Ka ndodhur edhe në vende të tjera, duke shfrytëzuar gjysmë të vërteta për të prodhuar një tym të jashtëzakonshëm që djeg sytë e publikut, që shurdhon publikun me presionin e vet dhe që dezinformon publikun thellësisht”, shtoi Rama.
Rama tha se është një neveri e madhe që ka një aktivitet kaq intensiv gjysmë të vërtetash nga njerëz që nuk dinë të bëjnë punën e tyre, opozitën e qeverisë dhe nuk dinë ta mundin PS-në.
“Askush nuk përpiqet të bëjë asnjë analizë se cila është e vërteta në të gjithë punën e SPAK. Është krejt ndryshe nga kjo që thuhet, SPAK nuk është opozita e qeverisë dhe cilët janë anët pozitive dhe negative të punës së SPAK, si të gjitha institucionet e tjera përfshirë dhe qeverinë. Asnjë nuk e bën këtë analizë, gjë që sjell pastaj një çoroditje shumë të madhe të opinionit publik”, tha Rama.
Për sa i përket protestave të opozitës, Rama tha se kështu i kemi ndarë punët prej vitesh.
“Unë në zyrë dhe PS në qeveri dhe të tjerët poshtë zyrës time, në rrugë. Kjo është zgjedhje e tyre, Shqipëria zë një vend dinjitoz në raportin për garantimin e lirive dhe kjo është pjesë e lirive”, shtoi Rama. /j.p/r.e/