E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Deri në 2029-ën, me PS dhe 83 mandate në Parlament

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët se ky vit është viti më i suksesshëm i Shqipërisë dhe se këtë sukses nuk e solli koha, por qeveria dhe shumica qeverisëse që ai drejton.

“Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave për anëtarësim në BE. Shqipëria është vendi ku, këtë vit që po mbyllim, u mblodh e gjithë Europa politike, demokratike, në sheshin “Skënderbej”. Erdhën në një vend të korruptuar mendoni ju? Jo!”, u shpreh Rama.

Por, vijoi ai, nuk morën opinionin e 700 “tenxhereve” politike e mediatike kur erdhën.

“Si mendoni ju, Komisioni Europian e fal një vend që do të ishte jo ky që thonë “tenxheret”, por do të ishte 1/10 e këtij? Kurrë! Asnjëherë! Dhe e kam thënë dhe e përsëris, nëse po ndodh sot ky proces është meritë në radhë të parë e kësaj force politike. Ju i keni parë reagimet e të tjerëve kur iu preket floku se çfarë thonë, por s’keni dëgjuar ndonjëherë, jo sharje e akuza, po as fjali që shkojnë në drejtim të goditjes së reputacionit dhe madje edhe presionit dhe kërcënimit të këtyre organeve”, u shpreh Rama.

Rama bëri të ditur se ky është një proces i pashmangshëm, i domosdoshëm, që ka problematikat e veta dhe kaq. Ai iu përgjigj edhe pyetjes nëse do të jepte dorëheqjen pas situatës në Agjencinë Kombëtare të Sigurisë së Informacionit.

“Ne morëm 83 mandate në qershor, dorëheqje për çfarë, për AKSHI-n?!”, deklaroi ai.

AKSHI, vuri në dukje Rama, është një institucion krenarie për ne.

“Që të jemi shumë të qartë bashkë: jo për të ulur kokën, por për të qenë krenarë. Dhe është një institucion për të qenë krenarë sepse kemi qenë këtu ne dhe ju kur duhet të shkonit të mbanit radhë për çdo lloj letre, edhe për të marrë një certifikatë të gjendjes civile. Dhe ata që ishin jashtë duhet të vinin këtu për të marrë një certifikatë”, tha Rama.

Rama tha se PS e votojnë shqiptarët, as patronazhistët, as bandat. “E votojnë shqiptarët, ndaj votojnë shqiptarët jashtë në mënyrë masive, sepse nuk flenë me zhurmën e “tenxhereve” në vesh”, theksoi ai.

“Në 2029-ën flasim përsëri. Të tjerat, secili bën punën e vet. Deri në 2029-uen me PS dhe 83 mandate në Parlament”, iu përgjigj Rama pyetjes nëse do të jepte dorëheqjen.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›