Rama: Shkolla Hoteleri-Turizëm, me programin e një prej shkollave më të mira në botë

TIRANË, 25 qershor/ATSH/ Arsimi profesional në sektorin e Hoteleri-Turizmit ka potencial të madh për të zhvilluar turizmin, duke sjellë përfitime të shumta.
Gjithnjë e më shumë ai po shihet si faktor në mbështetje të biznesit dhe zhvillimit ekonomik.
Falë bashkëpunimit me partnerë të rëndësishëm si shkolla zvicerane “École hôtelière de Lausanne”, nxënësit e Hoteleri-Turizëm zhvillojnë praktikën profesionale në ambiente pune, krijojnë lidhje me profesionistë të fushës dhe punësohen nga bankat e shkollës.
Kryeministri Edi Rama përcolli sot dëshminë e nxënësve të kësaj shkolle, të cilët treguan përfitimet e ndjekjes së arsimit profesional.
“Me disa nga nxënësit e shkollës profesionale të Hoteleri-Turizmit, brezi i parë që po ndjek mësimin me programin ‘École hôtelière de Lausanne’, një prej shkollave më të mira në botë për mikpritjen dhe turizmin”, u shpreh Rama.
Nxënësit treguan eksperiencën e tyre pranë kësaj shkolle dhe përfitimet që presin në të ardhmen për zhvillimin e tyre profesional.
“Bëjmë fillimisht teori dhe pastaj praktikën në kuzhinë, që të shohim se sa e kemi përvetësuar recetën apo gatimin që kemi për të bërë”, tha Katerini, një nxënëse e kësaj shkolle.
Brezi i parë i studentëve të certifikuar të kësaj shkolle do t’i bashkohet tregut të punës brenda vitit 2027, të përgatitur sipas standardeve më të larta.
/m.m//a.f//r.e/