E Martë, 3 Nëntor 2026

Prindërit të kënaqur me shkollat verore: Kjo periudhë dyjavore të zgjerohet më shumë

TIRANË, 25 qershor/ATSH/ Shkollat verore janë një përvojë e bukur për fëmijët, por edhe një lehtësim për vetë prindërit, të cilët tashmë janë të qetë që të vegjlit e tyre luajnë dhe kalojnë kohë cilësore gjatë verës dhe, mbi të gjitha, janë të mbikëqyrur dhe të sigurt në mjediset e shkollës.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu publikoi në rrjetet sociale përshtypjet e disa prindërve, të cilët shprehen të kënaqur nga kjo nismë e re.

“Besoj se kampi veror do të ndikojë në eksperiencat e fëmijëve si nga ana emocionale, sociale, ashtu edhe krijuese”, shprehet njëra nga nënat.

Një prind tjetër rrëfen se, në momentin që merr fëmijën nga kampi veror është vërtet kënaqësi, sepse ka energji pozitive, ka shumë gjëra për të thënë, pasi gjatë gjithë kohës së qëndrimit, organizimi është perfekt. “Çdo gjë është e organizuar dhe fëmijët gjatë paradites përjetojnë emocione nga më të ndryshmet”, thotë ajo.

Ndërsa një nënë shprehet se i pëlqen ideja që prindërit që punojnë, t’i kenë fëmijët të siguruar dhe është një siguri që vjen nga shkolla.

“Nënat janë të qeta që fëmijët kënaqen bashkë, argëtohen bashkë si edhe mësojnë shumë gjëra: të qepin, të këndojnë e të tjera”, shprehet ajo.

“Shohim te fëmijët kënaqësi dhe entuziazëm. Vijnë me shumë dëshirë të takojnë shokët. Kënaqen, luajnë dhe mësojnë”, thotë një nënë, ndërkohë që një tjetër shprehet e kënaqur që fëmijët shkëputen nga shtëpia e njëkohësisht edhe nga teknologjia (televizori e telefonat).

Ndërkohë, prindërit shprehin dëshirën që në vitet e ardhshme, kjo periudhë dyjavore të zgjerohet më shumë.

Zbatimi i modelit të ri të Shkollës Verore nisi në mesin e këtij muaji, në 10 shkolla publike në bashkitë Tiranë, Kamzë dhe Durrës. Ky program përfshin fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën, duke kombinuar mësimin me argëtimin, kujdesin dhe socializimin.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›