Rama: Shqipëria kurrë më parë nuk e ka luftuar korrupsionin si në këtë fazë

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Në Asamblenë e Partisë Socialiste në Lezhë, kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i PS, u ndal tek akuzat e opozitës për korrupsionin, duke theksuar se kurrë më përpara Shqipëria nuk e ka luftuar korrupsionin si në këtë fazë.
“Tani unë nuk them që ne e kemi shfarosur korrupsionin, por unë them një gjë që mund ta faktoj në disa rrugë: që e para, kurrë më përpara Shqipëria nuk e ka luftuar korrupsionin si në këtë fazë. Dhe e dyta, korrupsioni është më i ulët se çdo herë më parë”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se “zhurma është më e madhe, patjetër, dhe është më e madhe edhe nga lufta, që çdo gjë amplifikohet në të gjitha rrugët e keqinformimit, por është patjetër edhe nga rezultati”.
“Fjala vjen, si mund të ketë rritje të korrupsionit dhe rritje të pagave në të njëjtën kohë?! Nuk ndodh kjo në vendet që kanë korrupsion në rritje. Si mund të ketë rritje të korrupsionit dhe rritje të pensioneve në të njëjtën kohë?! Sepse pagat dhe pensionet rriten ngaqë rriten të ardhurat në buxhetin e shtetit. Korrupsioni prezumohet që i thith të ardhurat nga buxheti i shtetit dhe i çon në pak xhepa. Atëherë, këto të dyja bashkë nuk shkojnë”, nënvizoi kryeministri Rama.
Kreu i qeverisë tha se “si mund të ketë rritje të korrupsionit dhe, ndërkohë, të rritet numri i përfituesve nga garat publike? Janë të gjitha gjëra që nuk shkojnë me njëra-tjetrën. Ashtu sikundër, nuk diskutohet që njeriu është i ndërtuar në një mënyrë të atillë që të keqen e harron shpejt, ndërsa të mirën e do edhe më shumë”.
“Por, nëse kthejmë kokën pas dhe kujtohemi për kohën kur për të paguar dritat duhet të mbaje radhë, për të paguar taksat duhet të mbaje radhë dhe për të marrë një certifikatë lindjeje duhet të mbaje radhë, ndërkohë që të gjitha këto gjëra sot i bën me telefon, atëherë si qenka rritur korrupsioni?!”, përfundoi Rama.
/k.s/r.e/a.f/