E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Projektet që do ta bëjnë Lezhën destinacion turistik europian

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Kryeministri dhe njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha sot se projektet që do të realizohen në Lezhë do ta bëjnë atë destinacion turistik europian.

“Sot po diskutoja me kryetarin tuaj të bashkisë. Projektet që ne shohim për Lezhën, për ndërtimet në zonën turistike, janë projekte që nuk mund të imagjinoheshin, as nuk mund t’i shkonte njeriu në mendje që do merrnin përsipër njerëzit të bënin ato lloj investimesh këtu në Lezhë dhe janë projekte që, kur të realizohen, do ta bëjnë Lezhën realisht një destinacion turistik europian në plot kuptimin e fjalës”, tha Rama gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste në Lezhë.

Kreu i qeverisë u shpreh se “ne europiane mund ta quajmë edhe sot Shqipërinë, dhe Lezhën, dhe Durrësin, dhe Vlorën, kë të doni, por ato investime që parashihen dhe që nuk janë në ëndrra, janë projekte që vijnë, që ne i aprovojmë, janë investime për të cilat ia vlen të luftohet dhe të fitohet, sepse do të lënë gjurmë në historinë e këtij qyteti dhe në historinë e këtij vendi”.

“Ju siguroj që i kemi të gjitha mundësitë dhe jemi të vetëdijshëm që duhet të bëjmë më shumë dhe do të bëjmë më shumë. Nuk do të ndalemi së rrituri pagat. Nuk do të ndalemi së rrituri cilësinë e jetës dhe patjetër, edhe standardet e të gjithë qyteteve tona. Nuk do të ndalemi së rrituri të gjitha mundësitë për këdo që do të jetojë me punë. Na duhet vetëm që të jemi shumë të vendosur, shumë kompaktë dhe mbi të gjitha të vetëdijshëm në çdo hap që ajo që kemi përpara është diçka e jashtëzakonshme dhe ne duhet ta realizojmë.
Ky duhet të jetë fiksimi ynë”, tha Rama.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›