E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Shqipëria po pastrohet nga makinat e sekuestruara, jo më asete të kthyera për 5 lekë

TIRANË, 19 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit sot të ministres së Punëve të Brendshme Albana Koçiu, u ndal tek administrimi pasurive të sekuestruara si dhe te pastrimi i territorit nga makinat e sekuestruara që shërbenin si prova nga Policia e Shtetit.

Duke folur për administrimin e pasurive të sekuestruara, Rama tha se “nuk e di se pas sa vitesh më në fund ka filluar të bëjë sens. Këtu është meritë e ish-ministrit Ervin Hoxha që i dha vëmendjen e duhur më në fund pas kaq vitesh Njësisë së Administrimit të Asteve të Sekuestruara, që funksiononte si njësi riciklimi për të sekuestruarit”.

“Ua merrnin nga njëra anë me një mijë e një përpjekje dhe me një mijë e një halle ata që janë në luftë, në front me krimin, dhe pastaj njësia ua jepte me çmim të arsyeshëm mbrapsht, i blinin nga Ministria e Brendshme për 5 lekë. Policia e Shtetit mbetej prapë pa infrastrukturën e duhur, ndërkohë që kriminelët rimerrnin pallatet, që mund të ishin fare mirë komisariate policie, për shembull, e për të thënë që këtu është shteti”, theksoi Rama.

Më tej Rama u ndal tek pastrimi i Shqipërisë nga mjetet e sekuestrua nga Policia.

Kreu i qeverisë u shpreh se “pas 35 vitesh po pastrohet Shqipëria, trupi i Shqipërisë nga disa tumore të tmerrshme, të makinave, motorëve, karrocave të mbledhura nëpër fusha të administruara nga Policia e Shtetit si prova. Fusha të tëra në qytet, në anë të qytetit me një kapacitet ndotës të llahtarshëm, që nuk kishte zot që i lëvizte, se thuhej se këto i kemi prova”.

“35 vjet prova, numri i shapkave të mbledhura për prova nëpër Shqipëri dhe të mbledhura nëpër furgonë, maune po ashtu të ndryshkura si prova, është i lemerisshëm, mund të vishnim me shapka të tëra pastrueset e Ballkanit”, tha Rama.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›